Lajme Shqip Thursday, 12 April 2012 20:10

Prishtinë-Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, priti sot në takim komandantin e NATO-s në komandën e Napolit, admiralin Bruce W. Clingan. Ai tha se NATO vazhdon të jetë e përkushtuar për të ndihmuar Kosovën në forcimin e mëtejshëm të stabilitetit të saj, ruajtjen e paqes dhe krijimin e një ambienti të sigurt për të gjithë qytetarët e Kosovës.

Presidentja Jahjaga tha se sulmet me bomba dhe incidentet, si ai i fund javës së kaluar, kur u vra një qytetar dhe i lënduan familjarët e tij, janë të papranueshme. Presidentja Jahjaga bëri thirrje për qetësi me qëllim të mos lejimit të përshkallëzimit të situatës.

Ajo theksoi se bazuar në përgjegjësitë e saj kushtetuese dhe ligjore ka filluar një varg takimesh me udhëheqësit e mekanizmave të sigurisë, ata vendorë dhe ndërkombëtarë, për të vlerësuar situatën e sigurisë dhe për të bashkërenduar veprimet institucionale.

Presidentja Jahjaga tha se e vetmja zgjidhje më e mirë për komunat në veri, është zbatimi i plotë i Planit Ahtisaari, që ofron një autonomi të gjerë komunale.  Presidentja Jahjaga tha se është e nevojshme ndihma e KFOR-it për të krijuar një mjedis të sigurt dhe të qetë me qëllim që shumica e qytetarëve në komunat veriore të Kosovës të jetojnë pa frikë nga strukturat ilegale.

Po sot, presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, priti në takim komandantin e forcës paqeruajtëse të NATO-s, KFOR, gjeneralin Erhard Drews. Ajo tha se takimet që po zhvillon po bëhen me qëllim të vlerësimit të situatës së sigurisë në Republikën e Kosovës, pas sulmit me bombë që ndodhi fundjavën e kaluar në Mitrovicë.

Presidentja Jahjaga theksoi se ndihma e forcës paqeruajtëse KFOR është e nevojshme për të vendosur rendin dhe qetësinë dhe për të ndihmuar qytetarët serbë në tri komunat në veriut të Kosovës që të jetojnë të lirë dhe pa frikë nga strukturat kriminale dhe ilegale që po veprojnë në këtë pjesë të territorit të Kosovës.

Komandanti i KFOR-it, gjenerali Erhard Drews, theksoi se forca paqeruajtëse në Kosovë do të vazhdojë të përmbushë mandatin e saj të ruajtjes së mjedisit të sigurt për të gjithë qytetarët e Kosovës, pavarësisht përkatësisë së tyre etnike. (LajmeShqip.com)