Lajme Shqip Monday, 25 July 2011 12:23

Tiranë – Zhvillimet më të fundit politike në vend ishin në qendër të diskutimeve gjatë një takimi pune që Presidenti Bamir Topi zhvilloi sot me dy ish-krerët e mëparshëm të shtetit shqiptar, Alfred Moisiu dhe Rexhep Meidani.

Kreu i shtetit dhe dy ish-presidentët Moisiu dhe Meidani, në bisedën e tyre u përqendruar kryesisht në zhvillimet më të fundit në vend, ndanë shqetësimin dhe mendime të përbashkëta për situatën e rënduar politike.

Kjo situatë, sipas tyre,  jo vetëm që dëmton demokracinë në vend dhe institucionet e saj, por vonon ecurinë e reformave të saj gjithëpërfshirëse dhe plotësimin e 12 kërkesave të BE-së për marrjen e statusit të vendit kandidat.

Topi vlerësoi dy ish-presidentët për angazhimet e tyre publike, pasi sipas tij, “Shqipëria ka nevojë për zëra të fuqishëm qytetarë, për zëra dhe angazhime të pjesës civile e liberale të shoqërisë, që tejkalojnë thirrjet militante të partive politike”.

Në këtë drejtim, të dy ish-presidentët Moisiu dhe Meidani si dhe Bamir Topi theksoi domosdoshmërinë e uljes së tensioneve politike dhe rikthim në normalitet të jetës institucionale, sidomos asaj parlamentare si dhe gjetjen nga ana e partive politike të vullnetit të duhur për kryerjen e reformave të domosdoshme në drejtësi, reformën zgjedhore, miratimin e ligjeve të rëndësishme që kërkojnë një shumicë të cilësuar dhe konsensus.

Duke vlerësuar lart rolin e ekuilibruar dhe moderator të Presidentit Topi, “i cili ka treguar gjithmonë në çdo hap se është respektues i Kushtetutës dhe simbol i unitetit të popullit”, dy ish-Presidentët vunë në dukje se “do të vazhdojnë të mbështesin përpjekjet e vazhdueshme, që përmes komunikimeve me tone të qeta e të matura, vijon të përmbushë misionin e lartë e tepër të rëndësishëm të Kryetarit të Shtetit, duke zbatuar rigorozisht Kushtetutën e Shqipërisë dhe të gjithë kuadrin ligjor”.