Lajme Shqip Sunday, 04 August 2013 18:13

Prishtinë – Xhevati është vetëm 9-vjeçar, por i di shumë mirë 36 shkronjat e alfabetit shqip. Eventualisht, C-ja mund t’i ngatërrohet në shqiptim me S-në, por ngatërresa të tilla të vogla nuk gjen as kur ai thotë ditët e javës, muajt e vitit, apo nënën, babanë, djalin, vajzën, gjyshen, gjyshin dhe beben, anëtarët e familjes.
Xhevati është mysliman, i ardhur nga Damasku, ndërsa ka dy javë që mëson shqip. Është i pastër, i është ofruar strehim e veshmbathje, ndërsa nga buzëqeshja duket se Kosova nuk i ngjan me zhurmën e bombave që përditë shpërthejnë në rrugët e qytetit të tij. Bashkë me familjen e tij, Xhevati po qëndron në Qendrën për Azilkërkues në fshatin Magure, aty ku më 23 mars të vitit të kaluar është hapur objekti i ri.
“Këtu është shumë mirë, ka qetësi”. Këto kanë qenë të vetmet fjalë që Xhevati i vogël ka mundur t’i thotë e të kuptohet prej gjuhës së tij amtare. Atij i ofrohet gjithçka brenda qendrës, sado që jeta brenda mureve duket e qetë. Një pjesë e mirë e azilkërkuesve në Kosovë, të premten në mesditë kanë qenë duke fjetur, disa prej tyre edhe me agjërim.

Ikin nga snajperët

Jo larg tyre, aeroplanët nga Sllatina fluturojnë drejt shtigjeve tjera, derisa po këta azilkërkues kanë zgjedhur shtetin e vogël ballkanik për t’iu ikur trazirave dhe jetesës nën snajperë në shtetet e tyre. Objekti ku ata qëndrojnë ka gjithçka, e madje kushte më të mira se shumë institucione tjera në vendin tonë.
“Momentalisht kemi 19 azilkërkues kryesisht prej shteteve si Siria, Pakistani, Algjeria, Senegali, Maroku, Tunizia e Nigeria”, thotë Fitim Zariqi, udhëheqës i kësaj Qendre në Magurë të Lipjanit. Këndi i lojërave për fëmijë, pingpongu, dhoma me televizor, kuzhina, apo hapësira me dy dhoma, kuzhinë e tualet janë hapësira më e shpeshtë që shohin sytë e këtyre azilkërkuesve. Të gjithë janë paraqitur pranë Departamentit të Imigracionit në Policinë e Kosovës, më pas për t’u transportuar në këtë qendër, në rast të pranimit të kërkesës dhe formularit inicial për azil.
“Natyrisht që ka kërkesa të cilat refuzohen, por zakonisht janë pesë kushte të cilat duhet të plotësohen për një aplikacion të suksesshëm. Kjo nënkupton se azilkërkuesi duhet ta lëshojë territorin ku ka luftë, ku nuk respektohen të drejtat e njeriut, ku ka probleme fetare dhe të përkatësisë etnike dhe aty ku ka probleme politike”, tregon Zariqi, njofton gazeta Zëri.
Kërkesa do të refuzohet në rast se në aplikacion ka mospajtime me ligjin e azilit, sidomos nëse personi që është gati për të marrë statusin e azilkërkuesit kërkon punë po ka ardhur për çështje ekonomike në shtet. Aktualisht janë tri familje brenda kësaj qendre, ndërsa mbetet shteti i Sirisë ai me më së shumti azilkërkues.
“Prej kohës sa është hapur qendra, përfshirë edhe lokacionin e vjetër, kërkesat kanë ndryshuar. Në vitin 2010 kemi pasur 269 kërkesa, në vitin 2011 188 kërkesa. Vitin e kaluar 45 kërkesa si dhe për periudhën janar-korrik 2013 kemi marrë 51 kërkesa. Viteve të fundit zakonisht ka tendencë të uljes së azilkërkuesve, por gjithmonë janë vendet e Lindjes ato që mbajnë rekord”, tregon Zariqi.
Në një periudhë prej dy javësh, çdo ditë dy orë janë të rezervuara për kursin e gjuhës shqipe, për të rritur mundësitë e integrimit edhe në jetën profesionale kosovare.

Kosovarët e ikur dikur në Siri, kthehen

Xhevati është djalë shqiptareje e siriani. Gjyshja e gjyshi i tij para shumë vitesh kanë braktisur Kosovën për një jetë më të mirë drejt Sirisë, por 60 vite më pas “letrat” janë kthyer krejt anasjelltas. Familja po gjen strehim në këtë qendër, e dhëndri shqiptar ka filluar edhe të mësojë gjuhën shqipe. Babai i Xhevatit ka marrë mall nga Evropa, kryesisht Gjermania para se të ikte, ndërsa ka 2 muaj që ka lëshuar Sirinë për të gjurmuar në Jordani, Egjipt, Turqi e tash edhe Kosovë.
“Nuk mund të zgjohesh çdo mëngjes me krisma e të presësh në çdo moment ndonjë shpërthim bombe. Në Damask situata është keqësuar dhe nuk ka asnjë shpresë për njerëzit. Qeveria e ka mbyllur gojën”, tregon M.
“Ka filluar edhe lufta midis vetë shiitëve dhe sunitëve, ndërsa po nuk pate letërnjoftim të mbysin krejt. Radhët zgjasin 3-4 orë ndërsa krejt puna kryhet me ID. Kam ardhur vetë këtu dhe e kam sjellë edhe familjen, e këtu kemi siguri sepse praktikisht nuk bëjmë asnjë punë”, tregon M, babai i Xhevatit.
Ai është diku rreth të 40-tave, i pastër dhe aspak i përputhur me klishetë e krijuara për pjesën e Lindjes. Vetë mysliman, ai thotë se nuk e pranon jetën në një shoqëri ku edhe vetë religjioni lufton mes vete. I mungon puna e tij, por mendon se Kosova është e qetë dhe ia vlen jetesa këtu.
“Këtu kam filluar të mësoj gjuhën shqipe, ka dy javë që po mbajmë kursin. Problemin e kam pak te ushqimi dhe Ramazani, sepse ushqimi që kemi pasur në Siri nuk është i njëjti me atë këtu. Pa e ditur gjuhën shqipe këtu nuk mund të bësh asgjë, por gjërat do të ndryshojnë”, vazhdon ai. Megjithatë, personazhi M ka një përparësi, sepse vjehrrit e tij ende flasin gjuhën shqipe. Ata kanë ikur para shumë vitesh, por janë kthyer në qendër me gjuhë të mirë shqipe, e pa asnjë dokument identifikimi.
“Gruaja nuk e flet mirë gjuhën shqipe, ndërsa nëna e saj po. Ajo ka probleme sepse asokohe kur ka ikur i kanë humbur dokumentet, nuk e di qysh, por tash ajo duhet ta fillojë procesin e identifikimit prej fillimit. Ajo ka frikë, sepse nuk e di si do t’i marrë ato dokumente prej Qeverisë, e as ku është sot toka e saj”, tregon babai i Xhevatit, në pritje për të marrë një vendim nga Divizioni i Azilit brenda Ministrisë së Punëve të Jashtme, në rastin e tij dhe qëndrimit ose jo në Kosovë bashkë me anëtarët tjerë të familjes.

60 mijë euro shpenzime

Qendra ofron tri shujta ditore, bashkë me pakon higjienike dhe veshmbathjet e duhura. Orari 08:00-22:00 është ai i lirisë së lëvizjes, ndërsa ofrohen kushte për gjithsej 50 azilkërkues, ndryshe nga Qendra e vjetër e hapur në vitin 2010 e cila mirëpriste vetëm 24 të tillë.
“Viteve të fundit ka shumë pak kërkesa, dhe po anohet nga zvogëlimi i numrit. Përndryshe ne kemi pasur edhe azilkërkues nga Shqipëria e Serbia, momentalisht nuk kemi. Sivjet nuk kemi as të tillë që janë të mitur dhe nuk kanë familjarë tjetër. Në rast të shtimit të numrit të azilkërkuesve Ministria mund të kontraktojë edhe hotele apo shtëpi private”, vazhdon Zariqi. 
Problem i azilkërkuesve qëndron edhe ai i parave të xhepit, që azilkërkuesit i kërkojnë.
“Unë jam i kënaqur me ushqimin, por pak para në ditë do të ishte mirë që ne t’i blejmë ushqimet që dëshirojmë dhe ta përshtatim pak edhe me ushqimin vendor”, thotë M, babai i Xhevatit.
Një azilkërkues tjetër, pakistanez, gjatë ditës së premte ka agjëruar, por ka treguar se këto para do t’i hynin në punë. Krejt në “hajgare”, ai ka bërë me dorë Zariqin duke thënë: “He is a good man, I like to be in Kosovo”.
“Këtu stafi është shumë i mirë, por pak para do të na bënin mirë. Nuk dua të ankohem, por shpresoj që ka zgjidhje për ata që qarkullojnë. Unë ka një muaj që jam këtu dhe qetësia është mbi të gjitha”, thotë azilkërkuesi pakistanez që ka preferuar të mos i përmendet emri.
19-20 euro harxhohen brenda ditës për një azilkërkues, ndërsa shpenzimet vjetore kapin shifra prej 60 mijë eurosh. “E kemi formuar edhe grupin punues i cili do t’u japë para xhepi mujore azilkërkuesve. Deri në shtator besoj se kjo do të realizohet, meqenëse kemi pasur ankesa”, thotë Zariqi. /Zëri/Lajmeshqip/