Lajme Shqip Friday, 02 December 2011 16:52

Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës, në dy kongrese të ndara, ka zgjedhur sot dy kryetarë, Haxhi Arifin dhe Ali Shabanajn.

Arifi është rizgjedhur në këtë pozitë nga përkrahësit e tij në Gjakovë me 65 vota të delegatëve, kurse Ali Shabanaj me 54 vota është zgjedhur në Prishtinë.

Ndarja në BSPK është thelluar edhe më shumë. Punimet e Kongresit të Pestë, të cilat ishin ndërprerë në muajin qershor të këtij viti, për shkak të problemeve për postin drejtues, kanë vazhduar ndarazi.

Haxhi Arifi, me përkrahësit e tij, këtë herë Kongresin vendosi ta mbajë në Gjakovë, ku ishte mbajtur edhe kongresi i parë i kësaj sindikate. Në këtë kongres me 65 vota të delegatëve dhe pa asnjë kundër, në postin e udhëheqësit të BSPK-së është rizgjedhur Haxhi Arifi, me një mandat 5 vjeçar.

Sipas Arifit zgjedhja është bërë duke respektuar statutin e konfederatave evropiane, ku BSPK-ja është anëtare. Por ai nuk ka dhënë sqarime rreth numrit të delegatëve të kongresit.

Ndërkaq në kongresin tjetër të mbajtur në Prishtinë, me 54 vota të delegatëve, në krye të BSPK-së u zgjodh Ali Shabanaj.

Kryesuesi i këtij kongresi, njëherësh nënkryetar i BSPK-së, Xhafer Xhaferi, tha se këtë cështje kanë dashur ta zgjidhin përmes ligjit: “Ne kemi pas edhe një proces gjyqësor dhe Haxhi Arifi në gjykatë e prezanton një ekstrakt të materialit fals. Një ekstrakt fals, që nuk përputhet me procesverbalin, thjeshtë ai është një manipulim që është prezantuar në gjykatë dhe ne për këtë arsye kemi vazhduar  procedurën, dhe ajo është në procedurë të dërguar në Prokurori lidhur me falsifikimin e Haxhi Arifit”, ka thënë Xhaferi.

Nga ana tjetër, Ali Shabanaj, i cili deri tani ka drejtuar Sindikatën Arsimit, tha se kanë mbajtur një takim me Haxhi Arifin më 18 nëntor, ku ka qenë edhe sindikata e arsimit, e ku kanë nënshkruar vendimin për thirrjen e këtij kongresi.

Por sipas tij anëtarësia e kësaj sindikate nuk ka marrë pjesë në vazhdimin e punës së kongresit, për shkak të presionit nga Haxhi Arifi.

“Një presion i paparë dhe i çmendur që e kemi parë këto ditë nuk i ka hije askujt, as Haxhi Arifit, ish-kryetarit të BSPK-së, dhe i cili pretendon të udhëheq klasën punëtore të Kosovës”, ka theksuar Shabanaj.