Lajme Shqip Monday, 10 September 2012 16:18

Prishtinë – Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, priti sot një delegacion nga Turqia, i kryesuar nga ministri i financave, z. Mehmet Şimşek.

Takimi i sotëm, tha Presidentja, ka simbolikën e vet, pasi që po zhvillohet në një ditë shumë të rëndësishme për Kosovën, në ditën e përmbylljes së mbikëqyrjes së pavarësisë.

Presidentja Jahjaga theksoi se Kosova ka dëshmuar se është kontribuues i paqes dhe stabilitetit në rajon dhe më gjerë. Ajo theksoi se edhe pas përmbylljes së mbikëqyrjes së pavarësisë mbesin sfida, për tejkalimin e të cilave Republika e Kosovës ka nevojë për mbështetjen e mëtutjeshme të miqve të saj, e sidomos të Turqisë, e cila me dekada ka përkrahur Kosovën në të gjitha momentet kyçe, duke ofruar ndihmë, jo vetëm politike, por edhe ekonomike e ushtarake.

Ministri i Financave të Turqisë, z. Mehmet Şimşek, duke përgëzuar presidenten Jahjaga për të arriturat në Kosovë, nënvizoi se suksesi i Kosovës është edhe sukses i Turqisë, duke pasur parasysh marrëdhëniet shumë të mira dhe bashkëpunimin midis dy vendeve.

Ministri i Financave të Turqisë, z. Mehmet Şimşek, konfirmoi se Turqia do të vazhdojë edhe në të ardhmen mbështetjen e fuqishme për Kosovën, në veçanti në sferën e lobimit tek shtetet e Lindjes së Mesme. (LajmeShqip.com)