Lajme Shqip Sunday, 11 August 2013 14:42

Prishtinë – Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës, të shtunën pasdite është informuar nga zyrtarët e Ambasadës së Kosovës në Suedi, se dje rreth orës 16, pllaka në hyrje të selisë së Ambasadës në Stokholm është gjetur e dëmtuar.

Zyrtarët e Ambasadës kanë njoftuar se sipas asaj që vihet re, duket se dëmtimi është bërë me mjete të forta, me ç’rast mbi pllakën e Ambasadës së Kosovës janë shkarravitur simbole serbe.

Zyrtarët e Ambasadës menjëherë i kanë njoftuar organet policore suedeze, që përkujdesen për sigurinë e ambasadave, të cilat kanë dal në vendin e ngjarjes.

Autoritetet suedeze kanë ekzaminuar dëmtimin dhe kanë marrë një deklaratë gojore në vendin e ngjarjes nga zyrtarët e Ambasadës, duke theksuar se do të fillojnë hetimin e rastit, raporton Express. 

Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës dënon këtë akt vandalizmi kundër simboleve të Ambasadës së Kosovës në Suedi, duke shprehur përkushtimin e plotë të misioneve diplomatike dhe konsullore të Kosovës, për të qenë në shërbim të plotë të misionit të politikës së jashtme të Republikës së Kosovës, në të gjitha aspektet.