Lajme Shqip Monday, 21 October 2013 22:46

 

 

Për Riza Nurën, Gjykata Themelore ka caktuar masën për paraqitje në stacionin policor dhe konfiskim të pasaportës. Nura është shqiptar/kosovar me nënshtetësi australiane, 66 vjeçar, dhe ishte arrestuar nga Policia e Kosovës në ditën kur kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq, ka vizituar Kosovën.

Gjatë rrëfimit të Riza Nurës për KosovaPress, ka thënë se asnjëherë nuk ka fyer Policinë e Kosovës dhe se asnjëherë nuk ka reaguar ndaj tyre, por është rrahur, dhe këtë e dëshmojnë edhe plagët që i janë shkaktuar dhe ende i ka në trup.

“O zotni, unë kom drejtë, unë thash, nuk jam tu ju pengu juve natanë, kurgjo hiq në këtë anë jom, edhe ata shkojshin bashkë jo ti po bon kështu, unë kom drejtë s’po të pengoj kurgjo. Edhe nuk kom ditë gjë e kur m’ka ra telefoni, tu ba me durë, edhe une jom ulë me kapë, mu kanë gjue katër a pesë, as s’kom pasë kohë me rezistue me të tregue të drejtën, aty për aty më kanë sjellë (rrah) disa, më kanë shtrengue aq keq, edhe mu më ngrehen deri atje zhag, te kerri, natanë anej rruge, edhe m’shtrinën n’bark n’karrigën e fundit e kambt jashtë në gjuj, edhe një prej tyne mu ul përmbi mos me lujt, megjithëse atje unë isha tuj e hup vetëdijen. P’ej atyhit mue m a ka qit dorën, kështu e kisha, ma ka qitë dorën kështu edhe ma mshojke këtu, e keni shejën, munesh me pa aty, se unë isha mas shoferit edhe ky ish këtu, po dorën ma kish çu mu aq shumë edh m’sillke këtu. Mo zotni i thom mos me sill ti mi ke lidh durtë, çfarë e drejte është kjo more. A keni respekt? Hajt, hajt se na të tregojmë kur të shkojmë në stacion, këta m’paskan qu mem rrafë”, rrëfen Nura.

 

Ndaj të arrestuarit, se është ushtruar dhunë nga zyrtarë të Policisë së Kosovës, e ka pohuar edhe Behxhet Shala, drejtues i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut, transmeton kosovapress.

Shala ka thënë se ka paraqitur rastin në Inspektoratin Policor të Kosovës, pasi që beson se ndaj Nurës është përdorur dhunë e panevojshme dhe janë tejkaluar të gjitha autorizimet e zyrtarëve.

“Nuk i ka fye Policinë e Kosovës, por thjeshtë e ka kundërshtu vizitën e Daçiqit, edhe e ka kundërshtu bllokimin e rrugës, për këto dhe aty ka lind kacafytja verbale, pastaj e kanë dërguar në stacion edhe e kanë rreh, edhe gjatë kohës sa e kanë dërgue në stacion edhe sa ka qenë në stacion”, është shprehur Shala.

“Kur shkova atje kur hinëm mrena mi hjeki qaj atje edhe hynën pesë a gjashtë, ma shumë ka pasë në realitet, si kom njeh por shumë ka pasë, edhe mu m’tha a e ki letërnjoftimin. I thash po. E qita. Ah tha, ti je i Australisë, thash po. Sa je atje? I thash ngat 50 vite, 46 ose 47 vjet aty i kam. Thash në ’66 tën kom shku atje. Tha çu në kom. U qova n’kom. M’ka thon, ec përpara. Tu ecë, m’ka shty njoni mbi tjetrin, edhe m’kanë kapë e m’kanë sillë, a njo ma kish fut dorën këtu, për muri, a tjetrën ma kish kapë me tjetrën. A n’këtë anë, m’sillshin sa mujshin. Një e zezë, s’po di a kam drejt mi thonë magjupe a çka është ajo, ishte e vogël. Ajo u munue mem ra në gjenitale, nuk mujti, e në atë vend m’ra në sy, mi thej syzat, edhe synin ma vrajti, po fati jem se e mshela, reflekset. E s’ma kapi krejt, e syzat u thyen ma boni synin, ashtu zi. Aty m’rrafën shumë. S’isha ma në gjendje – veç mu rrxue. Tha lsho. Ec përpara. Thash se mos po dojn mem çue në atë dhomën ku bohen intervistat edhe me ma lexue akuzën se për çka m’kanë arrestue, qysh është e drejta gjithkund në botë. T’arreston, t’thotë a e di pse t’kem arrestue, kjo është akuza jote. S’kam ditë gjë, aty ish kanë ni tavolinë, ni karrig. Tha unxhu. U ula aty. Ata u ulën n’tavolinë. Tha a e di që i rrehe policinë. Thash mem falë, une policit me uniformë me i ra? Thash ku në botë, krejt botën e kom shetit, e kom respektue uniformën, se e di çka domethan, s’kam ditë gjë veç kur ma ka bo, majko ti, sllavisht ma shajti nanën. Kur m’ka pritën pasha dy sytë e ballit, bum n’tokë. U çova, nuk dashta me nejt. Ky tjetri matan, thash sillni sa t’muni”, ka vazhduar rrëfimin Nura.

Më pas ai ka shpjeguar që ka ardhur ambulanca dhe është trajtuar edhe nga mjekët, dhe se nga rrahja kishte pasur gjakderdhje të brendshme. Nura, rastin, ka thënë se ia ka shpjeguar sot edhe gjykatës, duke shtuar se që nga largimi i tij nga Kosova, gjithherë ka qenë në shërbim të mbrojtjes së interesave të shqiptarëve.

Avokati i këtij rasti, Enver Maxhuni, ka konfirmuar caktimin e vendimit për paraqitje në stacionin policor për Riza Nurën, dhe konfiskim të pasaportës.

“Sot ishte seanca dëgjimore e të pandehurit Riza Nura lidhur me dyshimin se ka kryer dy vepra, një sulm ndaj personit zyrtar dhe një pengim në kryerjen e detyrës. Në fakt prokurori i shtetit ka parashtruar kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit mirëpo, duke marrë parasysh që provat, të cilat janë prezantuar në këtë fazë të procedurës, ne propozuam që t’i caktohet një masë më e butë, të cilën edhe gjykata e aprovoi, dhe me këtë vendim është marrë masa; paraqitja në stacionin policor, si dhe konfiskimi i pasaportës, meqenëse i njëjti është shtetas australian”, ka thënë Maxhuni.

Sipas Zyrës për Informim të Policisë së Kosovës, Nura, brenda stacionit ka sulmuar zyrtarin policor me ç’rast i ka shkaktuar lëndime trupore, gjithashtu, lëndime trupore ka pësuar edhe i dyshuari gjatë futjes nën kontroll të situatës pasi i njëjti ka rezistuar. Që të dy janë dërguar për trajtim mjekësor.

“Pas tretmanit mjekësor i dyshuari është sjellë në stacionin policor dhe pas konsultimit me Prokurorin Kujdestar, i njëjti ka marrë Aktvendim Mbi Ndalimin e Personit të Arrestuar, për të cilin është hapur dhe proceduar rasti “Sulm ndaj personit të autorizuar zyrtar dhe pengim i personit të autorizuar zyrtar gjatë kryerjes së detyrave”, thuhet në emailin e Policisë së Kosovës.