Lajme Shqip Friday, 15 July 2011 12:36

Prishtinë – Udhëheqësit e Kosovës kanë rritur trysninë për njohje të reja. Presioni i tyre është drejtuar tani ndaj vendeve islame, atyre latino-amerikane dhe vendeve të Karaibeve, shkruan shtypi serb. Nëse ndodh që pavarësia e Kosovës të njihet nga grupi i vendeve islamike dhe vendeve të Amerikës latine, atëherë, situata do të ndryshojë dukshëm në favor të Prishtinës. Kjo do të thoshte rritje e numrit prej 50 njohjeve të reja brenda natës për pavarësinë e Kosovës.

Udhëheqësit e Kosovës, të mbështetur nga miqtë ndërkombëtarë, kanë forcuar përpjekjet lobuese për të marrë njohje të reja nga vende që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Në objektiv të lobimit janë vendet anëtare të Konferencës islamike, ku tashmë ka kaluar një rezolutë, me të cilën bëhet thirrje për njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Aktualisht nga 57 vende sa ka Konferenca Islamike, dy të tretat e kësaj organizate nuk e kanë njohur ende pavarësinë e Kosovës, shkruan sot gazeta serbe Veçernje Novosti. Prishtina, thotë kjo gazetë, ka forcuar lobimin veçanërisht në dy fronte. Një betejë e vërtetë diplomatike është duke u zhvilluar në Konferencën Islamike, por presioni tyre është i drejtuar edhe ndaj vendeve latino-amerikane dhe vendeve të Karaibeve.
Për t’iu kundërvënë këtij lobimi, shefi i diplomacisë serbe, shkuan gazeta serbe “Veçernje Novosti”, ndodhet në një turne në Meksikë dhe në disa prej vendeve të Karaibeve. Ndërkohë, bëhet e ditur se Beogradi ka nisur edhe disa emisarë në vendet islame me më ndikim, me qëllim të ndërprerjes së efektit lobues të Prishtinës. Deri më tani shkruan gazeta serbe, nga 192 shtete anëtare të OKB-së, 76 tashmë e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.