Lajme Shqip Monday, 05 November 2012 14:54

Prishtinë –  Shtyhet seanca e konfirmimit të aktakuzës për dy ish-ministrat e Kulturës, Astrit Haraqija e Valton Beqiri si dhe aktorit Armond Morina e producentit   Nehat Fejzës, për datën 30 nëntor, bën të ditur KTV-ja. Shtyrja e seancës u bë me  kërkesë të avokatit të aktorit, Armond Morina, Arjanit Koci, i cili është ankuar para gjykatës se aktakuza që i është dorëzuar atij ka gabime teknik. Por prokurorja, Drita Hajdari ka kundërshtuar këtë gjë, duke thënë se gabimi teknik po shfrytëzohet nga mbrojtja me qellim të prolongimit të qëllimshëm të rastit.

Shtyrjen e kanë përkrahur të gjithë avokatë, me përjashtim të të pandehurit Astrit Haraqija, i cili ka kërkuar nga gjykatësja që sa më parë  ta zbardhë këtë rast, pasi siç është shprehur se ai ka mbetur pa punën dhe e ka ndërmend të kthehet në Qeveri. 

Ata akuzohen se kanë dëmtuar buxhetin e Kosovës në vlerë 390 mijë euro për dy filma që nuk janë bërë kurrë. Sipas aktakuzës, ish-ministri Haraqija ka kryer veprën penale shpërdorim i detyrës zyrtare, duke tejkaluar autorizimet e tij pasi nënshkroi kontrata në kundërshtim më Ligjin për kinematografinë dhe atë për prokurimin publik me Nehat Fejzën, pronar i kompanisë “Concordia Pictures”, në vlerë prej 220.000,00 euro; dhe me Armond Morinën pronar i kompanisë “Morina Films”, në vlerë prej 350.000,00 eurosh. 

Ish-ministri Valton Beqiri akuzohet se më  2008 ka lidhur dhe ka nënshkruar aneks kontratën me Armond Morinën si dhe më 01.10.2008, ka marrë vendim për transferimin e shumës prej 100.000,00 eurosh nga linja buxhetore e investimeve kapitale MKRS në linjë buxhetore të subvencioneve për realizimin e filmit “Mysafiri në sofër”. (LajmeShqip.com)