Lajme Shqip Wednesday, 23 March 2011 15:22

Tiranë – Gjykata e Krimeve të Rënda ka shtyrë sot seancën ndaj Alfred Shkurtit, i njohur ndryshe si “Aldo Bare” dhe i akuzuar si kreu i “Bandës se Lushnjes”.

Shkak për ketë shtyrje u bë mungesa për arsye familjare në seancë e njërit prej anëtarëve të trupit gjykues të çështjes ndaj tij dhe në këto kushte, Gjykata caktoi datën 28 mars për zhvillimin e seancës së radhës,  ku pritet të shpallë dhe vendimin ndaj Aldo Bares.

Një seancë më parë, prokuroria në dhënien e konkluzioneve hetimore ka kërkuar shpalljen  fajtor dhe dënimin me burg për jetë për Aldo Baren.

I pandehuri Aldo Bare akuzohet per disa vepra të rënda penale, ndër të cilat, disa vrasje të ndodhura vite më parë, kryesisht në Lushnje, në kuadër të organizatës kriminale të njohur si “Banda e Lushnjes”, që akuzohet se ka drejtuar.

Procesi ndaj Aldo Bares nisi afersisht një vit më parë në këtë Gjykatë, pak kohë pas ekstradimit  të tij nga Turqia, ku ishte arrestuar për llogari të drejtesisë shqiptare.