Lajme Shqip Thursday, 31 March 2011 06:21

Shkup – Kryetari i Rilindjes Demokratike Kombëtare, Rufi Osmani, ka pritur dje në mjediset e selisë së partisë në Shkup, delegacionin gjashtëanëtarësh të Komunitetit shqiptaro-amerikan, të udhëhequr nga Iljaz Kadriu.

Osmani i ka njoftuar përfaqësuesit e lobit shqiptar në Amerikë me zhvillimet e fundit politike në Maqedoni dhe përcaktimet kryesore të RDK-së. Ai ka thënë se shtyllat kryesore të programit të RDK-së do të jenë avancimi i të drejtave dhe lirive të shqiptarëve, por edhe të qytetarëve të tjerë të Maqedonisë.

“Programi ynë partiak synon të realizojë aspiratën shqiptare të të qenurit popull shtetformues në Maqedoni, duke respektuar tërësinë territorial të shtetit, e që mund të quhet ndryshe edhe si federalizim joterritorial, me mekanizma të demokracisë konsensuale dhe me decentralizim përmbajtjësor të pushtetit, zyrtarizim të gjuhës shqipe në të gjitha nivelet dhe ndarje proporcionale të buxhetit në investimet kapitale”, ka thënë kreu i RDK-së.
Ai ka rikonfirmuar idenë e unifikimit të faktorit politik shqiptar nëpërmjet një blloku të përbashkët pas përfundimit të procesit zgjedhor, me çka, siç pohoi, “shqiptarët, në negociata për formim të qeverisë së ardhshme të Maqedonisë, do të vepronin prej një pozicioni më të fuqishëm”.

Ndërkohë, delegacioni i lobit shqiptar, duke shfaqur përkrahjen për programin e RDK-së, shprehu nevojën e unifikimit të pozicioneve në lidhje me çështjet kyçe me interes të shqiptarëve, duke shprehur përkrahjen e tyre ndaj subjekteve politike, të cilat kanë si përcaktim të vetin realizimin e aspiratave për avancim të pozitës së shqiptarëve në Maqedoni, me theks të veçantë avancimin e pozitës së shqiptarëve deri në nivel të popullit shtetformues dhe të barabartë me maqedonasit.

Nisma e Komunitetit Shqiptaro-Amerikan (KSHA) për unitet dhe obcion të vetëm kombëtar, është mbështetur të mërkurën edhe nga PPD-ja në një takim të mbajtur në Tetovë.

“PPD e konsideron si gjestin me konkret politik dhe historik në këto çaste që e merr diaspora shqiptaro-amerikane, në këtë konjukturë të krizës së thellë të jetës politike brendashqiptare, të cilën e shkaktoi amplifikimi pa rezon demokratik dhe politik i ‘aktorëve’ politikë, që u përshkua gjatë 20 vjetëve, krizë e cila shqiptarët në Maqedoni i ka vënë para një udhëkryqi tejet serioz që të pranojnë kapitullimin e tyre politik përballë strategjive të mbrapshta të imponuara nga qeveritë maqedonase, apo të marrin drejtimin e ringritjes së tyre politike kombëtare”, thuhet në një komunikatë të PPD-së pas këtij takimi.

Në ditë më parë, lobi shqiptaro-amerikan vizitoi edhe selinë e PDSH-së ku kishte takim me kreun e saj, Menduh Thaçin.