Lajme Shqip Thursday, 18 August 2011 19:29

Prishtinë – Bartësit e politikës së jashtme në Republikën e Kosovës janë në një proces të lobimit për përmbylljen e procesit të njohjeve, tha sot zv/ministri i Jashtëm, Ibrahim Gashi.  “Besojmë se deri në fund të këtij viti ky proces do të rezultojë me rritjen e ndjeshme të numrit të shteteve që kanë njohur Kosovën, duke arritur që së paku gjysma e shteteve anëtare të OKB-së ta kenë njohur Republikën e Kosovës”, theksoi ai.

Deklarata e Gashit u bë gjatë një konference për shtyp, pas njoftimit se Republika e Beninit ka njohur zyrtarisht pavarësinë e Kosovës, duke e çuar në 80 numrin e shteteve që e kanë njohur Republikën e pavarur dhe sovrane të Kosovës.

Nota verbale e njohjes së Republikës së Kosovës nga ky shtet afrikano-perëndimor, është dërguar në Kosovë nga zv/kryeministri i parë i Republikës, Behgjet Pacolli, i cili po zhvillon një turne lobues për njohjen e Kosovës, në shumë vende të Afrikës.

Zv/ministri Gashi theksoi se njohja nga Republika e Beninit, e treta e ardhur këtë javë nga Afrika, është fryt i aktivitetit lobues të zv/kryeministrit të parë të qeverisë së Kosovës, Behgjet Pacolli, në kontinentin e Afrikës.

Nga zyra e Pacollit sot u njoftua se “krahas aktiviteteve të ngjeshura lobuese në kontinentin e Afrikës, zv/kryeministri i parë i qeverisë së Republikës së Kosovës, i mbështetur nga zyra e tij dhe lobuesit profesionalë, po drejton një fushatë të fuqishme me vendet e Oqeanisë dhe shtetet e Caricomit”.