Lajme Shqip Thursday, 03 September 2015 08:48

Ndërtimi i raporteve shqiptaro-serbe, është titulli i konferencës që organizohet nga RTV Mitrovica dhe Ambasada e Mbretërisë së Holandës.

Konferenca do të jetë e tipit të tryezës së rrumbullakët, ku do të marrin pjesë 7 ambasadorë, 7 shqiptarë dhe 7 serbë.

Siç njoftoi organizatori, nga radhët e ambasadorëve do të jenë pothuaj të gjithë ambasadorët e Quintit, si dhe shefi i Zyrës diplomatike ruse, ambasadori belg dhe ambasadori holandez Robert Bosch, transmeton KosovaPress.

Shqiptarët në këtë tryezë, sipas paralajmërimit, do të përfaqësohen nga kryetari i Parlamentit Kadri Veseli, ish-presidenti Behxhet Pacolli, ish-kryeministri Ramush Haradinaj, deputeti Ilir Deda dhe publicistët Halil Matoshi, Shkëlzen Gashi e Baton Haxhiu.

Nga radhët e serbëve do të jenë ministri serb në qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, zv/kryeministri i Kosovës Branimir Stojanoviq, kryetari komunës veriore te Mitrovicës Goran Rakiq, deputeti Nenad Rashiq, si dhe publicistët Branimir Krstiq, Zhelko Tvrdishiq dhe Nenad Radosavljeviq.

Tryeza mbahet në lokalet e RTV Mitrovica nga ora 11.00-13.00 dhe do të transmetohet drejtpërdrejt në RTK1 dhe RTK2.