Lajme Shqip Sunday, 13 September 2015 08:04

Një 18-vjeçar ka rënë pre e dhunës me baza etnike në Novi Sad të Vojvodinës në Serbi.

Ai është rrahur nga disa të rinj serbë të cilët e dëgjuan teksa fliste shqip në telefon, raporton gazeta serbe Blic.

Djali ishte duke folur në telefon me të ëmën e tij. Pas telefonatës, të riut shqiptar i janë afruar disa moshatarë serbë, të cilët fillimisht i kanë kërkuar një cigare.

Më pas ata kanë nisur ta sulmojnë, duke e shtrirë për tokë dhe qëlluar me gurë.

“Dëgjova disa njerëz që po më afroheshin dhe më pyetën nëse kam cigare. U thashë se nuk e pi duhanin dhe ata nisën të më shqelmonin, derisa dikush u afrua të më ndihmonte. Unë nuk e di se cilët ishin, por mendoj se shkaku ishte se kisha folur shqip. Isha duke biseduar me nënën time në telefon”, ka thënë 18-vjeçari me inicialet D.K.