Lajme Shqip Monday, 02 May 2011 15:38

Shkup – Partitë politike shqiptare në Maqedoni, partnerit të tyre të koalicionit qeverisës duhet t’ia imponojnë kërkesat e tyre të prezantuara si program politik gjatë fushatës parazgjedhore dhe qartë të theksojnë afatet e realizimit të tyre. Këto janë disa nga vlerësimet e opinionit publik dhe ekspertëve lidhur me trajtimin e kërkesave të partive politike shqiptare përballë atyre maqedonase. Profesori universitar Osman Kadriu konsideron se partitë politike shqiptare, kur bëhet fjalë për platformat e tyre, duhet të punojnë shumë në drejtim të imponimit të tyre te partneri maqedonas. Sipas tij, opsioni i vetëm i partive politike shqiptare, për të përmirësuar këtë status të shqiptarëve, janë ndryshimet kushtetuese. “Çdo parti politike duhet të prononcohet se çështjet thelbësore dhe kërkesat që kanë të bëjnë me shqiptarët, ti prezantojë gjatë fushatës parazgjedhore dhe ti realizojë në përbërjen e ardhshme të Parlamentit dhe të jenë pika kryesore e marrëveshjes me partitë maqedonase”, ka shtuar Kadriu. Ai ka vlerësuar se deri më tani nuk kemi pasur një marrëveshje të tillë, por kemi pasur një marrëveshje gojore dhe jo të shkruar. “Deri më tani nuk kemi pasur marrëveshje të lidhura me partitë maqedonase. Ka pasur marrëveshje por jo të plotë, jo të shkruar. Në mungesë të marrëveshjeve të shkruar shqiptarët kanë ardhur në pozitë që statusi i tyre të jetë sikurse ai para vitit 2001”, ka theksuar Osmani. “Deri më tani në koalicion qeverisës me partnerin maqedonas partitë politike shqiptare kanë hyrë vetëm në saj të kërkesave të tyre e jo edhe me programe. Tani është koha që kjo marrëveshje të rezultojë me program të përbashkët qeveritar. Pra, jo programi qeveritar të jetë vetëm i një partie politike”, ka thënë analisti politik, Albert Musliu. Sipas tij, shteti është i përbashkët dhe qeverisja duhet të jetë e përbashkët.

“Pa ndryshime kushtetuese nuk mund të flasim se ky status i tanishëm i shqiptarëve është objektiv dhe i përshtatshëm për shqiptarët. Në marrëveshjen e ardhshme me partitë maqedonase duhet të futen edhe ndryshimet kushtetuese”, vlerëson madje Osman Kadriu.

Profesori i së Drejtës Kushtetuese pranë Universitetit “Fon”, Osman Kadriu mendon se Kushtetuta e tanishme është gjeneratori kryesor i të gjitha problemeve. “Duhet të rishikohet preambula e Kushtetutës, çështja e buxhetit të shtetit, votimi me parimin e dyfishtë etj. Prej preambulës fillojnë të shqyrtohen edhe dispozitat, aktet dhe normat kushtetuese. Duhet qartë të theksohet së në Kushtetutë gjuha shqipe dhe ajo maqedonase janë gjuhë zyrtare në Maqedoni dhe pikë. E jo gjuha që flasin 20 për qind e popullatës është gjuhë zyrtare. Ka edhe shumë çështje si ajo e përdorimit të simboleve, votimit të dyfishtë, gjyqësinë, arsimin etj., që duhet të rregullohen me ndryshime Kushtetuese”, sqaron Kadriu. Madje, sipas tij, është koha e fundit të rishikohet edhe Marrëveshja e Ohrit. “Është koha e fundit që të rishikohet edhe Marrëveshja e Ohrit. Janë tejkaluar afatet, cilat janë rezultatet apo shqiptarët përfundimisht të mendojnë për një marrëveshje të re”, shton Kadriu.