Lajme Shqip Friday, 16 August 2013 09:35

Damask – Historiani kosovar nga Siria, Muhamed Mufaku- Arnauti, shpreh shqetësim lidhur me pjesëmarrjen e shqiptarëve në luftën civile në Siri.

Arnauti thekson shqiptarët po luftojnë krah për krah me fundamentalistët islamikë dhe grupet terroriste siriane.

“Kemi shqiptarë të armatosur që luftojnë me motive fundamentaliste për të krijuar një shtet islamik në Siri. Ata po stërviten dhe po luftojnë atje. Ndonjë ditë do të kthehen në Kosovë me po të njëjtat ide dhe kjo është shumë e rrezikshme”, thotë historiani Arnauti.

Historiani me prejardhje kosovare, në emisionin Info Magazine në Klan Kosova, tha se shqiptarët nuk kanë çfarë kërkojnë në luftën e Sirisë.

“Fushëbeteja e shqiptarëve nuk është në Siri, por është këtu. Për tu inkuadruar në jetën e Kosovës, për të krijuar vende pune dhe ambient të mirë”, porositi ligjëruesi aktual në Universitetin e Amanit në Jordani, transmeton Reporteri.

Këtë kërkesë Arnauti e bëri për shkak se në shtetin aziatik nuk po dihet kush me kë po lufton.

“Kush me kë po lufton, nuk dihet. Kemi grupe josiriane që kanë ardhur. Kanë ardhur grupe nga Tunizia, dhe Libia, Ballkani dhe vendet tjera. Me fjalë të tjera Siria është shndërruar në një Afganistan. Por përmend rastin e vrasjes të një hoxhe nga Shkupi në betejë me kurdët. Si është e mundur që personi i njejtë që ka luftuar për pavarësinë e Kosovës, të luftojë kundër kurdëve që kërkojnë të drejtat e tyre për autonomi, të cilat pa dyshim se i meritojnë”, potencoi ai.

Arnauti tha se Bashkësia Islame dhe institucionet tjera nuk duhet të rrinë indiferentë karshi këtij zhvillimi.

“Më së pari media, Bashkësia Islame e Qeveria e Kosovës duhet urgjentisht të mblidhen dhe ta diskutojnë një gjë të tillë. Të ndërmarrin diçka. Unë nuk e kam dëgjuar askënd përveç deputetit Amir Ahmeti ta ketë përmendur këtë zhvillim”, përfundoi Arnauti