Lajme Shqip Monday, 28 March 2011 15:47

Shkup – Ridefinimi kushtetues i pozitës së shqiptarëve, zgjidhja e statusit të gjuhës dhe elementeve të tjera identitare shqiptare, parakushtet për regjistrimin e popullsisë, unifikimi i faktorit shqiptar për emrin dhe mos anashkalimi i interesave shqiptare në këtë proces, diaspora dhe roli i saj, përcaktimi i pozitës së shqiptarëve në Qeveri si dhe zgjidhja e statusit të veteranëve të UÇK-së, janë pikat përmbajtjesore të platformës, të cilën do ta propozoë delegacioni i diasporës shqiptare nga SHBA-ja, që përbëhet nga përfaqësues të asociacioneve politike-kombëtare.

Përfaqësuesit e këtij delegacioni të dielën kanë arritur në Maqedoni, ku do të realizojnë takime me të gjitha forcat politike shqiptare në vend dhe do të prezantojnë platformën e tyre të njohur si Platforma Politiko-Kombëtare.

Këtë hap e mirëpresin edhe partitë politike shqiptare në vend, por nuk konfirmojnë nëse janë të gatshëm të bëjnë një unifikim të qëndrimeve rreth kësaj platforme.

“Orët e rënda të jetës na thërrasin që të ndërgjegjësohemi të gjithë për të ndryshuar gjendjen për të mirën e kombit shqiptar në Maqedoni që ndër vite shpeshherë u bë pre e politikave të kohës”, thuhet në komunikatën e asociacionit.

Në BDI e përshëndesin iniciativën e shqiptaro-amerikanëve, por thonë se lidhur me ofertën e tyre do të vendosë kryesia qendrore e partisë.

“Diaspora shqiptare çdo herë ka dhënë një kontribut të veçantë si për çështjen e shqiptarëve në Maqedoni, ashtu edhe në Kosovë, Shqipëri dhe më gjerë. Prandaj, çdo tentative e diasporës shqiptare që ka për qëllim përforcimin e pozicionit shqiptar, për ne si BDI do të jetë çdo herë e mirëseardhur. Ky delegacion me siguri se do të takohet me liderin e BDI-së, Ali Ahmetin, dhe do ta shpalosin platformën e tyre. Por, se cili do të jetë qëndrimi i BDI-së kjo do të vendoset në kryesinë qendrore të partisë”, tha Rafiz Haliti, nënkryetar i BDI-së.

Në PDSH-në e Menduh Thaçit thonë se së pari do të presin të shohin se për çfarë platforme bëhet fjalë që më pastaj të marrin qëndrim ndaj saj.

Kjo nismë mirëpritet edhe nga Demokracia e Re (DR) e Imer Selmanit.

“Ne si Demokraci e Re çdo herë kemi qenë të gatshëm që të ulemi dhe të bisedojmë për çfarëdolloj iniciative me diasporën shqiptare. Me këtë delegacion do të kemi takim ditën e mërkurë dhe pasi t’i dëgjojmë pikat dhe platformën e tyre, do të ulemi si parti dhe t’i shqyrtojmë. Kjo ndodhë për herë të parë që një asociacion shqiptar dëshiron t’i unifikojë qëndrimet e gjitha subjekteve politike në vend dhe është hap i cili duhet të përshëndetet“, tha Arianit Hoxha, zëdhënës i DR-së.

Siç bëhet e ditur, për realizimin e objektivave të përfshira në Platformën e unifikimit të partive shqiptare, para formimit të qeverisë së re duhet të nënshkruhet një marrëveshje me partinë fituese te maqedonasit, e cila do të precizojë dinamikën e realizimit të kërkesave të shqiptarëve për komb shtetformues, me afate të caktuara kohore dhe me garanci nga senatorë – udhëheqës të lobit shqiptar në Senatin Amerikan. Në të kundërtën, propozohet që shqiptarët të mos bëhen pjesë e qeverisë së ardhshme.

Ky delegacion i diasporës shqiptare pritet të realizojë një takim edhe me ambasadorin e SHBA-ve në Shkup, Filip Riker.