Lajme Shqip Monday, 14 November 2011 17:22

Oslo – Kryeministri Berisha u takua sot në mesdite dhe pati një drekë pune me Kryeministrin norvegjez, zotin Jens Stoltenberg, bëri të ditur zyra e shtypit e Kryeministrisë.

Kryeministri Stoltenberg theksoi se “jemi shumë të impresionuar nga Shqipëria. Ne kemi parë një performancë ekonomike jashtëzakonisht të mirë, të bazuar në rritjen ekonomike. Vështirë se ndonjë vend tjetër në Evropë ka patur rritje ekonomike më lartë dhe më të fortë se Shqipëria”.

Kryeministri Stoltenberg theksoi se pati një takim të shkëlqyer, ku u zhvilluan diskutime për marrëdhëniet bilaterale midis Shqipërisë dhe Norvegjisë.
    

“Ne jemi dy vende që kemi marrëdhënie shumë të mira bilaterale. Ne shqyrtuam mundësinë e zgjerimit të bashkëpunimit, veçanërisht, në fushën e energjisë, në sektorin hidro-energjetik, ku kompanitë norvegjeze dhe një kompani e quajtur Statkraft, po marrin pjesë në zhvillimin e një projekti të madh të hidrocentraleve në Shqipëri, në Devoll. Gjithashtu, diskutuam potencialin e zhvillimit të bashkëpunimit në të gjitha format e energjisë, të energjisë se gjelbër, energjisë diellore, por, gjithashtu, edhe gazit, projektit Trans Adriatik Pipeline (TAP), i cili është në plan për të kaluar përmes Shqipërisë”, tha z. stoltenberg.
    

Përsa i përket iniciativave të qeverisë shqiptare për të inkurajuar bizneset dhe investimet e huaja në vend, Kryeministri Stoltenberg tha se “jemi shumë të impresionuar nga Shqipëria.

Ne kemi parë një performancë ekonomike jashtëzakonisht të mirë, të bazuar në rritjen ekonomike. Vështirë se ndonjë vend tjetër në Evropë ka patur rritje ekonomike më lartë dhe më të fortë se Shqipëria. Në shohim potencialin, shohim sa e rëndësishme po bëhet Shqipëria, falë rritjes së fuqishme ekonomike. Prandaj, besojmë se ka një potencial shumë të madh për bashkëpunimin në fushën e biznesit, për investimet, për tregtinë dhe për zhvillimin e potencialit tregtar midis dy vendeve”.
    

Përsa i përket mbështetjes që Norvegjia i jep Shqipërisë në procesin e integrimit dhe marrjen e statusit të vendit kandidat, Kryeministri Stoltenberg u shpreh se “ne e mbështesim idenë e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Ne besojmë se është e rëndësishme për Evropën, është e rëndësishme për Shqipërinë.

Ne e kemi mbështetur fuqimisht Shqipërinë kur dëshironte të bëhej anëtare e NATO-s. Norvegjia është anëtare e NATO-s, prandaj kishim mundësinë ta mbështesnim Shqipërinë kur donte të bëhej anëtare e NATO-s. Ne nuk jemi anëtar të Bashkimit Evropian dhe nuk mund vendosim.  Janë  vendet anëtare të Bashkimit Evropian, të cilët në dialog me Shqipërinë, do të vendosin se sa shpejt do të lëvizë integrimi në BE për Shqipërinë”.
    

Ndërsa Kryeministri Berisha theksoi se fokusi i këtij takimi ishte energjia. “Dy ndër kompanitë më të mëdha norvegjeze në fushën e energjisë, Statkraft dhe Statoil, janë të përfshira thellësisht në punën në Shqipëri. Edhe kompani të tjera po punojnë. Kryeministri më siguroi që do të mbështesë plotësisht investitorët dhe kompanitë norvegjeze që do të investojnë në Shqipëri në fushën e energjisë, si dhe të fuqizojmë bashkëpunimin në këtë fushë kaq nevralgjike, siç është energjia”, tha Berisha.
    

Kryeministri Berisha u shpreh se në takim u fol edhe për investimet në turizëm. “Unë e  informova, gjithashtu, Kryeministrin për dëshirën time për t’u bërë të gjelbër në çështjet e energjisë, gjithashtu, edhe në pyllëzim. Norvegjia po ndihmon shumë vende në programet e pyllëzimit, në kuadër të përballjes me pasojat e ndryshimeve klimaterike.

Kemi shpresë se Kryeministri dhe qeveria e Norvegjisë do të ndihmojnë Shqipërinë në këtë përpjekje të madhe për pyllëzim të mirë, politikave të pyllëzimit nëpërmjet pemëve frutore”, tha Berisha, duke konfirmuar ftesën për Kryeministrin Stoltenberg për të vizituar Shqipërinë, ftesë të cilën ai e pranoi.