Lajme Shqip Wednesday, 16 March 2011 19:53

Tiranë – Qeveria e Republikës së Shqipërisë vendosi të mërkurën për pjesëmarrjen në operacionin ushtarak ndërkombëtar të KFOR-t në Kosovë të 5 ushtarakëve të Forcave të Armatosura Shqiptare.

Sipas vendimit të miratuar në mbledhjen e radhës së Këshillit të Ministrave, misioni i tyre është planizimi, monitorimi, komandimi dhe kontrolli i aktivitetit operacional të seksioneve dhe njësive të KFOR-it.

Kohëzgjatja e misionit është dy vjet, me rotacion 6 muaj dhe me vend-dislokim në Prishtinë.  Mbështetja logjistike, shëndetësore dhe transporti strategjik Tiranë-Prishtinë dhe anasjelltas është përgjegjësi e palës shqiptare.

Ministria e Mbrojtjes do të përballojë për ushtarakët pjesëmarrës në këtë operacion, shpenzimet për shpërblim, siguracion jete, akomodim, ushqim etj.

Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, do të përballohen nga buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes.