Lajme Shqip Saturday, 18 February 2012 14:30

Tiranë – Qeveria e Republikës së Shqipërisë përshëndeti Rezolutën për Sirinë të votuar në 16 shkurt 2012, në Asamblenë e Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Republika e Shqipërisë u rendit në listën e vendeve bashkësponsorizuese të kësaj rezolute.

Ministria e Punëve të Jashtme me anë të një deklarate për shtyp thekson se, me anën e kësaj rezolute, komuniteti ndërkombëtar dënon me forcë dhunën tashmë të përhapur në tërë territorin e Sirisë, si dhe shtimin e numrit të viktimave të shkaktuara nga regjimi i Bashar Al Asadit mbi popullsinë e pafajshme të vendit të tij.

Kjo rezolutë kërkon pushimin e menjëhershëm të dhunës shtetërore mbi civilët, respektimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut dhe mbrojtjen e popullsisë, vijon MPJ.

Sipas MPJ-së, votimi i kësaj rezolute, e cila bazohet mbi planin e propozuar nga vendet anëtare të Ligës Arabe, synon krijimin e një konsensusi ndërkombëtar për zgjidhjen e krizës në Siri.

Kjo rezolutë, e cila mori mbështetjen maksimale në votim, kërkon të sigurojë një transformim demokratik të shoqërisë e të sistemit shtetëror në Siri, nëpërmjet një procesi politik, në një mjedis të çliruar nga dhuna dhe ekstremizmi, përfundon deklarata e MPJ.