Lajme Shqip Friday, 15 April 2011 16:50

Tiranë – Misioni i osbe-odihr-it publikoi raportin e parazgjedhor në Shqipëri për periudhën 27 mars-11 prill, ku vlerësohen masat e marra në përgatitjen e këtij procesi dhe problematikën e vërejtur gjatë kësaj kohe.

Fillimisht raporti e vlerëson si shqetësuese mungesën për një kohë të gjatë të tre anëtareve të KQZ-së që përfaqësojnë opozitën në këtë institucion në mbledhjet e zhvilluara deri në rikthimin e tyre në 8 prill.

Dokumenti i OSBE-se vëren se Komisionet e Zonave të Administrimit Zgjedhor (KZAZ-të) nuk u ngritën brenda afatit të përcaktuar kohor, për shkak se të gjitha partitë e regjistruara, në këtë rast ajo socialiste dhe pbdnj-ja nuk arritën të dorëzonin të emëruarit e tyre.

“Partitë e mazhorancës emëruan anëtarët e komisioneve menjëherë pas këtij momenti, por partitë opozitare nuk e bënë një gjë të tillë deri në fund të marsit”, thuhet ne raport.

Më tej aty vlerësohet se janë bërë përpjekje për të eliminuar dublimet në regjistrime dhe të dhënat për personat e vdekur, duke bërë verifikimin e saktësisë së të dhënave. Lista Paraprake e Votuesve  u afishua për t’u verifikuar nga publiku në tetor 2010, dhe partive politike u është dërguar kopja elektronike e LPV-së shkruhet në raport.

Ndërsa periudha zyrtare 30-ditore e fushatës filloi më 8 prill, partitë e kishin filluar fushatën në mënyrë aktive para asaj date. Sulmet e ashpra personale vazhduan të karakterizojnë fushatën. Të dyja, forcat politike, vëren raporti i osbe-odihr-it, si PD-ja dhe PS-ja, janë fokusuar në garën për Kryetar Bashkie në Tiranë.

Raporti flet edhe për mjedisin në të cilin janë përgatitur zgjedhjet, ndërsa aty nënvizohet se që nga zgjedhjet e 2009-ës, mjedisi politik ka vazhduar të jetë shumë i polarizuar, me një retorikë të ashpër dhe sulme personale, si edhe demonstrata nga ana e opozitës. Tensioni u rrit menjëherë pas një proteste antiqeveritare të organizuar nga PS-ja në Tiranë, më 21 janar 2011, ku pati përleshje të ashpra ndërmjet protestuesve dhe forcave të sigurisë. Katër persona u vranë dhe shumë të tjerë u plagosën. Parlamenti nisi një hetim, ndërsa Prokurorja e Përgjithshme nisi një hetim të veçantë për gjuajtjen me armë. Këto hetime, që ndezën edhe më shumë kundërshtitë politike, nuk kanë përfunduar ende”, shkruhet me tej ne raport. Pas ngjarjeve të 21 janarit, ka patur disa vizita ndërkombëtare të nivelit të lartë për t’u bërë thirrje për qetësi dhe përgjegjësi në përgatitjet për zgjedhjet e 8 majit. Të dyja palët, si udhëheqësit e mazhorancës, ashtu edhe ata të opozitës kanë deklaruar se ata kanë si prioritet që zgjedhjet të zhvillohen në përputhje me angazhimet e OSBE-së dhe detyrime të tjera në nivel ndërkombëtar.

Një nga rekomandimet kryesore të OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet parlamentare të 2009-ës kishte të bënte me përgjegjësinë e partive për të bërë përmbushjen e detyrave zgjedhore në një mënyrë të përgjegjëshme.

Por, raporti i osbe-odihr-it vëren se vetëm Partitë e mazhorancës e firmosën marrëveshjen, ndërsa partitë e opozitës nuk e firmosen atë.

Raporti nuk lë jashtë vëmendjes as incidentet në fillim të fushatës, ndërsa atyu thuhet se dy kandidatë u qëlluan dhe u plagosën më 1 prill në Tiranë dhe 2 prill në Lezhë. Sipas policisë, plagosja në Tiranë u bë për motive politike, ndërsa rasti në Lezhë nuk kishte lidhje me politikën.

Më 4 prill, Kryetari i Zyrës së Inspektoriatit Ndërtimor në Bashkinë e Tiranës u qëllua dhe u plagos. Një ditë më parë ai kishte urdhëruar heqjen e flamujve politik të vendosur në vende të paautorizuara. Hetimi nga ana e policisë vazhdon ende. Vendosja e materialeve të fushatës, si flamuj dhe banderola, ka çuar gjithashtu në grindje në disa raste.