Lajme Shqip Thursday, 14 July 2011 20:51

Tiranë – Zv/Kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto, takoi sot në Tiranë Drejtorin Ekzekutiv të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike, Yukiya Amano, vlerësoi projektet mjaft të suksesshme të realizuara në bashkëpunim me ANEA dhe siguroi për vazhdimin e angazhimit të vendit tonë në këtë partneritet edhe në të ardhmen në fushat me prioritet si shëndetësia, energjia, mjedisi etj.

Takimi u përqendrua mbi bashkëpunimin e deritanishëm të vendit tonë me ANEA si dhe mundësitë e zhvillimit të mëtejshëm, në përputhje me objektivat zhvillimore të vendit.

Haxhinasto vlerësoi gjithashtu rolin e Amanos dhe të ANEA-s pas problemeve të shkaktuara nga cunami në Fukushima të Japonisë.

Nga ana e tij, Amano vlerësoi mbështetjen dhe bashkëpunimin shembullor që kjo Agjenci ka pasur me vendin tonë, çka e ka kthyer Shqipërinë në një partner serioz edhe për çështje të tjera me një rëndësi ndërkombëtare. Ai u shpreh se shëndetësia e veçanërisht zhvillimi i teknologjisë bërthamore për luftimin e kancerit, mbetet një prioritet përgjatë mandatit të tij në krye të ANEA-së.

Gjatë një konference për shtyp pas takimit, Haxhinasto iu përgjigj interesimit të medias mbi lajmin e rremë, i cili qarkulloi të martën në internet, ku thuhej se Kreu i shtetit rumun bëri deklarata fyese dhe raciste ndaj shqiptarëve.

“Marrëdhëniet midis Republikës së Shqipërisë dhe Rumanisë janë marrëdhënie shumë të mira, të cilat nuk cënohen as nga manipulimet mediatike, as nga shprehjet emocionale. Ka një komunikim shumë korrekt me Ambasadën dhe autoritetet rumune dhe unë do të vlerësoja se ai incident, e përsëris edhe njëherë, ishte çështje manipulimi mediatik dhe tashmë është tejkaluar”, tha Haxhinasto.