Lajme Shqip Monday, 18 July 2011 13:45

Tiranë – Vendeve evropiane që e njohën Këshillin Tranzitor të Libisë si autoritet të vetëm, sot iu është bashkuar edhe Shqipëria.

Ministria e Punëve të Jashtme ka bërë të ditur se Shqipëria, prej sot, zyrtarisht e njeh Këshillin Tranzitor të Libisë si një përfaqësues legjitim të popullit libian.

Në kumtesë thuhet se qeveria shqiptare, duke vlerësuar lart aspiratat e popullit libian për demokraci e zhvillim, ka ndjekur me simpati dhe ka mbështetur veprimtarinë e Këshillit Kombëtar të Tranzicionit, programin e tij për një Libi demokratike dhe e konsideron këtë Këshill si një përfaqësues legjitim të popullit libian.

“Qeveria shqiptare është e gatshme të vendosë marrëdhënie me këtë Këshill dhe të japë ndihmën e saj për rivendosjen e paqes dhe ndërtimin e demokracisë në Libi. Shprehim bindjen se, duke ndërmarrë një hap të tillë, mbështesim kauzën e drejtë të popullit libian, për liri e progres”, ptencon kumtesa për media e Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë.