Lajme Shqip Thursday, 21 July 2011 17:42

Tiranë – Ambasadorja e Polonisë në Tiranë, Irena Tatarzynska, paraqiti sot në një konferencë për shtyp, në qendrën e Informimit Evropian, prioritetet e Presidencës polake në BE për periudhën deri në fund të këtij viti.

Tatarzynska theksoi se Presidenca polake mbështet aspiratat e vendeve të Ballkanit Perëndimor, ku bën pjesë dhe Shqipëria, për anëtarësimin në BE.

“Zgjerimi i BE-së është në interesin e vendeve kandidate”, tha ajo.

Përsa i përket përpjekjeve të Shqipërisë për integrimin në BE, Tatarzynska tha se “si rezultat i bisedimeve, Shqipërisë i janë dhënë 12 prioritete kyçe. Që t’i përgjigjesh këtyre 12 prioriteteve është një punë e përbashkët dhe kolektive dhe një punë e madhe. Procesi i integrimit në BE kërkon një devotshmëri”.

Ajo tha se zgjerimi është një nga objektivat strategjikë të BE-së, duke shtuar se “ekziston edhe parimi i kushteve që vihen për cilësinë e zgjerimit”.

“Ne jemi këtu për t’ju ndihmuar në këtë rrugë, ashtu siç ka qenë e vështirë edhe për ne kjo rrugë. Kushtet për në BE janë të njëjta për të gjithë vendet dhe tashmë ka ardhur koha që të nisë dialogu politik pa tensione”, shtoi Tatarzynska.

Përsa i përket situatës politike në vend Tatarzynska tha se “të gjithë po presim raportin e OSBE/ODIHR mbi zgjedhjet e 8 majit dhe vetëm atëherë do të jemi në gjendje të vlerësojmë saktësisht situatën”.

“Situata politike tepër e komplikuar në Shqipëri, me të cilën po përballemi mund të zgjidhet. Kërkon thjesht që palët të ulen në një tavolinë, që të shmangen keqkuptimet që kanë ndodhur në të shkuarën. Pasi nëse nuk ka dialog politik do të ketë probleme të tjera që do të dalin”, tha ambasadorja e Polonisë.

Duke folur për prioritetet e Presidencës polake në BE për 6 muajt e ardhshëm ajo tha se “në datën 1 korrik Polonia mori Presidencën e radhës në BE. Ne falenderojmë Hungarinë për këshillat që na ka dhënë gjatë gjysmës së parë të vitit dhe Danimarkën dhe Qipron, që do të bashkëpunojnë me treshen e BE-së, deri në fund të vitit 2012”.