Lajme Shqip Tuesday, 15 November 2011 09:50

Tiranë – Gjatë vizitës që po zhvillon në Norvegji, Kryeministri Berisha takoi Zëvëndëspresidentin e Parlamentit,  z. Per-Kristian Foss, bëri të ditur sot zyra për shtyp e Kryeministrisë.

Kryeministri theksoi se Parlamenti ka një rëndësi themelore në marrëdhëniet midis dy vendeve dhe se vizita e tij kish si qëllim çuarjen më tej të marrëdhënieve bilaterale. Ai i çmoi shumë të mira marrëdhëniet midis dy vendeve, si dhe shprehu falënderimet për mbështetjen e Norvegjisë për anëtarësimin në NATO të Shqipërisë.

Kryeministri u ndal te investimet në sektorin e energjisë së rinovueshme, ku Statkraft ka një rol primar në projektin hidroenergjitik të kaskadës së Devollit, aktualisht ndër më të mëdhenjtë në Evropë, si dhe në projektin e gazsjellësit Trans Adriatic Pipeline, ku një kompani tjetër norvegjeze Statoil është ndër aksionerët kryesorë të projektit.

Zëvëndëspresidenti i Parlamentit i vlerësoi kompanitë norvegjeze të përfshira në projekte energjetike në Shqipëri si kompani lider në sektorët e tyre.

Gjithashtu, z. Per-Kristian Foss shprehu vlerësimin për programin e investimeve në infrastrukturë, kryesisht ato rrugore që qeveria shqiptare po zbaton. Ai theksoi se Shqipëria, me investimet në rrugë, është diskutuar si model edhe në parlamentin norvegjez.

Në takim u diskutua edhe për situatën politike dhe procesin e integrimit europian. Kryeministri u shpreh se Parlamenti sapo kishte marrë vendim për të zhbllokuar miratimin e ligjeve me shumicë të cilësuar, fillimin e reformës zgjedhore dhe asaj të rregullores së Parlamentit, kushte këto të vendosura edhe nga Bashkimi Europian.

Kryeministri nënvizoi se pas një bllokimi dyvjeçar të reformave kyçe, opozita më së fundi po i kthehej realitetit politik dhe shprehu shpresën se një kurs i tillë politik do të vazhdojë në interesin më të mirë të vendit.

Ai siguroi bashkëbiseduesin se integrimi europian është projekti më i rëndësishëm i qeverisë së tij dhe se ky projekt bazohej vetëm në merita dhe reforma.

Gjithashtu në takim u fol për mundësinë për investime dhe bashkëpunim ekonomik mes dy vendeve, ku përveç sektorit energjetik u tërhoq vëmendja tek turizmi dhe teknologjia e informacionit.

Në përfundim të takimit, z. Per-Kristian Foss e shoqëroi Kryeministrin në një vizitë në ambientet e Parlamentit dhe në sallën e seancave plenare të tij.