Lajme Shqip Tuesday, 26 July 2011 14:31

Tiranë – Zv/kryeministri dhe ministri i Jashtëm Emond Haxhinasto priti sot disa përfaqësues të administratës së Kosovës më të cilët diskutoi për procesin e integrimit në BE dhe për dialogun e bisedimeve Kosovë-Serbi.

Në fjalën e tij kryediplomati shqiptar ritheksoi mbështetjen e Shqipërisë ndaj procesit integrues të shtetit të Kosovës që qytetarët e saj të lëvizin të lirë në hapësirën Shengen.

“Kosova duhet të jetë sa më parë pjesë e këtij procesi”, tha zv/kryeministri Haxhinasto, duke vënë në dukje edhe takimet që drejtues të lartë të Kosovës kanë zhvilluar më autoritete të larta të BE-së.

“Këtë fundviti ju do të mund të keni udhërrëfyesin dhe do të filloni me plotësime konkrete për standartet”, tha ai.

Ministri Haxhinasto deklaroi se “Republika e Shqipërisë e mbështet me forcë këtë proces, që qytetarët kosovarë të lëvizin të lirë në hapësirën Shengen. Rajoni i tëri duhet të integrohet mes vetes dhe në Europë”.

Zv/kryeministri shqiptar e cilësoi të rëndësishëm edhe faktin që Kosova të vazhdojë marrëdhënien me BE-në, në drejtim të fillimit të procesit të një marrëveshjeje të Stabilizim- Asocimit.

Ai tha se Kosova nuk duhet të mbetet si një “njollë zezë” në rajon, por të jetë pjesë e rëndësishme e marrëdhënies që ka BE me rajonin tonë.

“Por përsëri fjala është te standardet, pasi integrimi në BE është çështje e arritjes së standardeve të caktuara”, tha kreu i MPJ-së.

Ndërsa duke u ndalur në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, numri dy i qeverisë shqiptare theksoi se “duhet të jetë një dialog me rezultate dhe marrëveshje konkrete, të cilat zbatohen”.

“Shqipëria e mbështet këtë lloj dialogu me këtë cilësi, me qëllim që të gjitha çështjet teknike që kanë të bëjnë me bashkëpunimin apo me çështje të ndryshme administrate mes dy shteteve sovrane, Kosovës dhe Serbisë, të zgjidhen me një frymë mirëkuptimi, e cila e kualifikon si Kosovën, ashtu edhe Serbinë, në një hap më tej në BE”, tha Haxhinasto.

Ministri i Jashtëm u ndal edhe në vizitën që zhvilloi një ditë më parë në Bullgari, ku veçoi takimin me homologun e tij bullgar.

“Ministri i Jashtëm më konfirmoi mbështjen që jep Bullgaria për procesin e integrimit të Kosovës, sikurse edhe për çështjen e lëvizjes së lirë të qytetarëve të saj në hapësirën Shengen”, theksoi zv/kryeministri Haxhinasto.