Lajme Shqip Friday, 28 September 2012 10:51

New York – U nënshkrua në New York, Memorandumi i Mirëkuptimit ndërmjet Shqipërisë, Greqisë dhe Italisë, ku të tre vendet kanë shprehur synimin e tyre për të bashkëpunuar në ndërtimin e gazsjellësit Trans Adriatik (TAP), që do t’i lidhë ato, duke sjellë gazin nga fushat Azerbajxhanit drejt Perëndimit. 

Memorandumi u nënshkrua nga tre Ministrat e Jashtëm, ministri ynë Edmond Panariti, ai grek Dimitris Avramopulos dhe ministri italian, Giulio Terzi. Dokumenti i nënshkruar është një memorandum mirëkuptimi, i cili shënon hapin e parë në nivel politik, që do të pasohej nga analizat teknike për krijimin e kornizës së infrastrukturës së re. Më vonë, pasi negociatat të hyjnë në një fazë tjetër, do të nënshkruhet marrëveshja për gazsjellësin. 

Për Athinën kjo marrëveshje është e një rëndësie të madhe, sepse sipas mediave në Greqi, “ajo është në thelb një “levë” presioni, që qeveria greke ushtron mbi Tiranën zyrtare, për ratifikimin e Marrëveshjes së Kufijve Detare dhe zonave ekonomike ekskluzive të dy vendeve, e nënshkruar në vitin 2009, por e rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese pas presionit të Partisë Socialiste”. 

Tubacioni TAP do të transportojë gazin natyror nga Azerbajxhani në Evropë, në mënyrë që të reduktohet varësia nga Rusia për furnizimin me gaz. Kapaciteti fillestar i tubacionit TAP do të jetë 10 miliardë metra kub në vit me synimin për të shkuar deri në 20 miliardë metra kub në vit. Qeveria shqiptare parashikon që gazjellësi Trans Adriatik të sjellë në Shqipëri një investim prej 2 miliard eurosh. Aksionerët e TAP janë EGL-zvicerane me 42,5%, Statoil-norvegjeze me 42,5% dhe E.ON Rurgas-gjermane me%. Në projekt bashkëpunon edhe kompania italiane e energjisë, “Enel”. Aktualisht, konsorciumi “Deniz Shah” konsideron dy opsione për të ofruar gazin azer në Evropë; TAP dhe Nabucco, por vendimi përfundimtar mbi tubacionin, do të merret në vitin 2013. 

Deklaratat e ministrave pas nënshkrimit 

Ministri i jashtëm italian Giulio Terzi tha se projekti ka rëndësi në pikëpamjen e sigurisë energjitike. “Për vendin tim, kjo është pjesë e një tabloje më të gjerë të sigurimit energjitik. Gjithashtu, nga pikëpamja e zhvillimit infrastrukturor është me rëndësi sepse do të lejojë kalimin e gazit përmes Adriatikut drejt bregdetit italian, duke krijuar përfitime për Shqipërinë, Greqinë dhe vendet ku do të kalojë gazsjellësi”.

Ministri i jashtëm grek, Dimitris Avramopulos e shikon projektin me shumë leverdi për lehtësimin e vështirësive ekonomike në vendin e tij. “Ky projekt ka shumë rëndësi në këto kohë të vështira ekonomike për të krijuar vende pune dhe nxitur zhvillimin. Veç kësaj, ai çon përpara dhe lehtëson bashkëpunimin mes tre vendeve. Do të kemi edhe bisedime dhe diskutime të tjera në mënyrë që të arrijmë në nënshkrimin e marrëveshjes përfundimtare”. (LajmeShqip.com)