Lajme Shqip Saturday, 16 July 2011 17:25

Tiranë – Kjo javë ka shënuar një sërë ngjarjesh të rëndësishme në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian.
     Të martën, më 12 korrik, Komisioni Evropian ka finalizuar një plan për mbështetje financiare lidhur me reformat në zbatim në Shqipëri, Bosnje-Hercegovinë, Kroaci, Islandë, ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë, Serbi, Turqi, si dhe në Kosovë për periudhën kohore 2011-’13. Plani i quajtur ”Dokumenti Planifikues i Indikuesit Shumëvjeçar” (MIPD), paraqit në vija të përgjithshme një strategji të rishikuar për financimin përmes Instrumenteve të BE-së për Asistencë Paraanëtarësuese, (IPA).
     Fondi që i është akorduar Shqipërisë është rreth 257 milionë euro. Ky fond do t`i akordohet vendit tonë për reformat në sektorin e gjyqësorit, në administratën publike, për thellimin e bashkëpunimit rajonal, për të luftuar krimin e organizuar e korrupsionin dhe në fusha të tjera. Financimet do të fokusohen në sektorë si, reformimi i gjyqësorit dhe administratës publike, forcimin e bashkëpunimit rajonal në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, në ndërtimit e një shoqërie civile dinamike, me theksimin e reformave dhe bashkëpunimit rajonal e në arsim, po ashtu edhe në stimulimin e një rimëkëmbjeje të qëndrueshme nga kriza ekonomike përmes investimeve në projekte strategjike të infrastrukturës.
     Po më 12 korrik, Drejtoria e Përgjithshme Ekonomiko-Financiare e Komisonit Evropian ka publikuar raportin e saj periodik për tremujorin e dytë të vitit 2011, kushtuar zhvillimeve në vendet kandidate apo në proces kandidimi për në Bashkimin Evropian, ku një kapitull i veçantë i kushtohet Shqipërisë. Në raport thuhet se, “sipas OSBE-së zgjedhjet 8 majit ishin kompetitive dhe transparente, por ato u dëmtuan nga një shkallë e lartë e polarizimit dhe mosbesimit mes partive politike”.
     “Ndarjet e thella midis vijave partiake, së bashku me vonesën e rezultateve përfundimtare në zgjedhjen e kyebashkiakut të Tiranës vazhdojnë të rëndojnë mbi performancën ekonomike të vendit”, vijon raporti.
     Sipas raportit, “të dhënat e përkohshme tregojnë se GDP reale u rrit me 3.4% nga viti në vit në tremujorin e parë të 2011″. Sektori i ndërtimit, i cili ka pasur probleme në 5 tremujorët e mëparshëm, u rrit me 4.8% duke reflektuar efekte si rritja e shpenzimeve të kapitalit publik”.

               Të premten, më 15 korrik, Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, raportoi në komisionin parlamentar të Integrimit lidhur me planin e veprimit dhe axhendën e  takimit të tretë të Këshillit të Stabilizim- Asocimit, që do të mbahet në 19 korrik, mes Qeverisë shqiptare dhe BE.
     Ministrja tha se në këtë takim objekt i diskutimeve është ecuria e reformave dhe angazhimeve të Qeverisë të ndërmarra në kuadër të  MSA-së. Bregu ritheksoi rëndësinë që ka  roli dhe angazhimi i opozitës në diskutimet dhe nismat për procesin e integrimit evropian.
     Mbledhja e tretë e Këshillit të Stabilizim- Asocimit, i paraprin përgatitjes së Progres Raportit të BE-së për Shqipërinë, që pritet të publikohet në muajin tetor.