Lajme Shqip Saturday, 22 August 2015 10:42

Qëndrimi ndaj bustit të Stalinit ka zënë edhe pjesën e fundit të bisedës së sekretarit të parë të Partisë së Punës, Ramiz Alia me intelektualët më të njohur në vend, zhvilluar më 12 gusht 1990.

Në këtë pjesë të bisedës, Alia dhe bashkëbiseduesit trajtojnë shqetësimet dhe kritikat ndaj Shqipërisë lidhur me stalinizmin. Figura e Stalinit mbeti deri në vitin 1990 e vlerësuar në Shqipëri, ndonëse ajo u ridimensionua apo u kritikua në shumë vende të Lindje, përfshirë edhe vetë Bashkimin Sovjetik.

“Për sa i përket propagandës së botës së jashtme, mos kini merak, daç lini bustin, daç hiqni bustin, daç shajeni atë…”, shprehet Alia, duke nënvizuar se ekzistenca ose jo e bustit të ish-udhëheqësit sovjetik nuk ndryshon vlerësimin ndërkombëtar për Shqipërinë.

Në takim përmenden edhe ngjarjet e Shkodrës, ku qytetarët e saj shprehen hapur kundërshtimin ndaj bustit të Stalinit. Më pas, ai u hoq edhe nga bulevardi kryesor i Tiranës, ku qëndronte përballë bustit të Leninit.

Gjithashtu në këtë pjesë të bisedës trajtohet sërish edhe çështja e organizatave të ndryshme dhe roli i tyre në raport me Partinë e Punës. Alia diskuton me intelektualët edhe marrëdhënien që duhet krijuar me këto organizata dhe nëse ato duhet të jenë të mbikëqyrura ose jo.

Bashkëbisedues: Është biseduar edhe në mjediset tona universitare me pyetje duke marrë shkas nga shqetësime të ndryshme që vërehen në këtë rrugë 45-vjeçare. Për shembull, pranojmë që jemi të nxituar në problemin e tufëzimit. Atëherë nëse ne do të kishim një oponencë ndaj këtij gjykimi të partisë, nuk do të mund t’i jepnim një zgjidhje më të mirë problemit? Më thjeshtë? Mund ta kishim kapërcyer nxitimin? Një mendim që është dhënë më duket, të ndryshme intelektuale. Vetvetiu ky lloj arsyetimi mund të na çojë deri aty, do të pranojmë pluralizmin politik?

Të jemi të ndërgjegjshëm që ne e ndajmë pluralizmin e mendimeve nga pluralizmi politik. Pluralizmi i mendimeve, i asaj forme të debatit, brenda kësaj hije, për ti gjetur zgjidhje më të mirë këtij problemi, partia asnjëherë nuk na e ka mohuar, përkundrazi na e ka kërkuar dhe na e kërkon vazhdimisht. Veçse, tek kjo çështja e dytë, e kapërcejmë nga ky pluralizëm mendimesh, në pluralizëm ideologjish dhe aq më tepër pluralizëm partiak partish, bëhet një kapërcim i madh cilësor, i cili do të vinte në dyshim këtë formë të rendit tonë shtetëror. Në këtë terren është bërë debat dhe vazhdon të ketë debat. Dua t’ju them pikëpamjen e opinionit të përgjithshëm dhe që është opinioni, më duket, më i argumentuar, mendimi im personal, që ne me këtë pluralizmin e debateve, me pluralizmin e mendimeve, kemi nevojë të kulturohemi akoma më tepër, të demokratizohemi akoma më shumë.

Dhe se rruga e demokratizimit nuk është kalimi tek pluralizmi politik, ne kemi mundësi brenda për brenda nesh, të gjejmë format, mënyrat, që brenda këtij pluralizmi mendimesh që përsosin rrugëzgjidhje probleme. Për shembull, një nga këto çështje ju na e trajtuat vetë, lidhur me raportin e partisë lidhur me frontin demokratik. Në atë koncept tradicional…

Ramiz Alia: A ishit dakord ju teoricienët me antitezën që rrip transmisioni nuk mund të quhen këto organizatat?

Bashkëbisedues: Ne ishim dakord shoku Ramiz që pozicioni i statusit të tyre duhet të jetë marrë….

Ramiz Alia: Jo Jo. Unë thashë me tezën se e ka thënë Lenini, e ka thënë edhe Stalini, shoku Enver, unë vetë e kam thënë disa herë.

Bashkëbisedues: Për mendimin tonë shoku Ramiz, ajo tezë është përpunuar në kushte të caktuara dhe nuk mund të themi që ajo nuk ishte e drejtë në ato kushte në të cilat ndodhej. Në këto kushte, të kalimit dijetarëve të demokratizimit të mëtejshëm, raporti i partisë siç e kemi diskutuar ne…

Ramiz Alia: …Jo vetëm, po unë arrita në atë që e thashë, duke pasur parasysh edhe një tezë tjetër, shoku Enver disa herë ka folur që dua kundër tutelës mbi organizatat, veçanërisht të Organizatës së Rinisë. Atëherë, kur jemi kundër tutelës, pse duhet të jemi me rripa transmisioni? Nëse jemi kundër tutelës, domethënë, t’i lemë, kupton, që të veprojnë, të jenë të pavarur në veprimtarinë e tyre.

Bashkëbisedues: Kjo tezë, në realizimin konkret të funksionimit të këtyre organizatave, do ta lirojë përfundimisht mendimin e tyre dhe në këtë plan do të realizojë më mirë pluralizmin e mendimeve, por jo pluralizmin ideologjik dhe pluralizmin partiak.

Ramiz Alia: Po, qartë.

Bashkëbisedues: Shoku Enver më ka thënë edhe një herë 1972 shoku Ramiz, që partia nuk ka të drejta të kufizuara. Nuk është shtjelluar asnjëherë tek ne…

(ndërprerje)

Ramiz Alia: Për sa i përket propagandës së botës së jashtme, mos kini merak, daç lini bustin, daç hiqni bustin, daç shajeni atë …

Bashkëbisedues: Do gjendet Daut Hoxha.

Ramiz Alia: Kush? Ja sa të dalim tani nga kjo mbledhje, mos u mërzisni. Kështu që stalinistët, nuk na hiqet kjo ne, nuk na hiqet nga monumenti. Por neve sigurisht, kjo është edhe një pasqyrim i mungesës së demokracisë sonë, por dhe i edukatës demokratike. Ne jemi shumë sensibël, ne po na shan, revoltohemi. Pse na thonë stalinistë, ne nxehemi. Po mirë të mos nxehemi, të mësohemi dhe ne të mos nxehemi. Ça të na thonë nxehemi, kupton. Duhet të durojmë, duhet të mësohemi një çikë të durojmë. Ne edhe po na shan për gjëra të tjera, po na thonë. Jo e kam këtu nuk dua të justifikoj që o burra të na shajnë. Por, edhe sikur të mos jenë monumentet e Stalinit, prapë do na shajnë. Po si të bëjmë? Të gjejmë një mënyrë. Ja e hoqën … ku the ti?

(Reagim nga salla që nuk është i dallueshëm)

Ramiz Alia: E hoqën dhe në Shkodër. Po hiqini. Po pse autori ka të drejtë ta heq?!

Bashkëbisedues: Tha kryetari i kooperativës, kur u hodhën këto shashkat kështu, ç’të bëjmë tha se kam një mburojë këtu, pak kooperativistë kam. I tha ai, merremi ne me këtë çështje.

Ramiz Alia: Mua nuk më duket ndonjë problem që ne na zgjidh në planin ndërkombëtar. Urdhëro? Shiko, ne pa nofka nuk shpëtojmë.

Bashkëbisedues: Të na e vënë skënderbegas.

Ramiz Alia: Jo mor, skëndërbegas nuk ta vënë se je i madh për të thënë skënderbegas.

Sali Berisha: Në Kosovë ka një problem tjetër…

Ramiz Alia: Çështja e Kosovës ti, shoku Berisha është një qëndrim, një çështje më vete dhe duhet ta kemi kujdes. Dhe unë e ti, që veçanërisht jemi shumë prokosovar, ndihemi pak kosovar, hë? Do kujdes pak. Çështja e Kosovës është tepër e komplikuar. Edhe mendimet për Kosovën dhe për kosovarët janë shumë ashtu, për shembull, një burrë kosovar, që lexova diku thotë në Nju-Jork, Shqipëria duhet të shtrojë çështjen e Kosovës në Këshillin e Sigurimit. Unë mendoj që po të udhëhiqemi nga ato mendime, ne do biem pre e provokacioneve të rrezikshme, sepse kosovari përpara se ta thotë atë duhet ta bisedojë me ne. Dhe kur nuk begenis ta thotë me ne dhe e thotë atje do të thotë që është provokator. Kushdo qoftë ai. Për mua s’ka rëndësi. Tjetër … Më fal, më fal, më fal. Jo, jo, jo se e kam që duhet të bëhemi dhe në një çikë … se është bërë si modë kjo Kosova, të ndjekim mentalitetin e tyre. Vajti Mark Krasniqi, kupton, që njohim ne dhe e kemi mik, po miku jonë. Po bën pajtimin kombëtar në Amerikë. Meqë po bëjmë pajtimin e gjaqeve, hajde bëjmë dhe pajtimin e gjaqeve në Amerikë. Pajtim me ballistët kupton, me Xhaferr Devën.