Lajme Shqip Saturday, 27 August 2011 18:44

Tiranë – Vendet e Ballkanit, mes të cilave dhe Shqipëria, konsiderohen si vende tranzit për trafikimin e herionës me origjinë Afganistanin, një ndër prodhuesit më të mëdhenj të kësaj lënde narkotike.

Për të rritur bashkëpunimin në luftën kundër këtij trafiku, drejtori i Shërbimit Federal të Kontrollit të Trafikut të Narkotikëve të Rusisë, Viktor Ivanov, ndërmorri një vizitë në vendet e rajonit, stacioni i fundit i së cilës ishte Shqipëria, ku u takua me autoritetet e institucioneve përgjegjëse dhe Kryeministrin Sali Berisha.

Në një konferencë për shtyp në Tiranë, Ivanov e cilësoi rezultative vizitën në Shqipëri që u shoqërua dhe me nënshkrimin e një marrëveshje mes dy vendeve për të thelluar bashkëpunimin në luftën kundër narkotrafikut.

“Rusia ështe gatshme të bashkëpunojë në mënyrë aktive me vendet e Ballkanit. Rusia i konsideron të forta organet e policisë se Shqipërisë”, tha Ivanov, duke shtuar se sot dy janë itineraret kryesore të trafikut të drogës, i pari droga futet nga vendet ballkanike dhe tjetri përmes  territorit verior të Rusisë.

Një prej itinerareve kryesore ku kalon heriona me origjinë nga Afganistani, sic informoi Ivanov, është përmes territorit të Iranit, Turqisë, shfrytëzohen portet e Stambollit dhe Bullgarisë pastaj narkotrafikantët kalojnë nëpër Maqedoni, Shqipëri dhe Malin e Zi me destinacion vendet e Evropës. Ka dhe një itinerar të kundërt kur drogat nga Shqiperia kalojnë në Bullgari. “Itineraret jane shume te diversifikuara prandaj ne duhet të rrisim shkembimin e informacionit”, tha zyrtari rus, duke nënvizuar se një vend të veçantë në trafikun e drogës zë dhe Kosova.

Ivanov informoi  gazetarët shqiptarë se i ka dorëzuar ministrit të Brendshëm, Bujar Nishani, të dhënat për rreth 400 kartele të drogës që furnizojnë me herionë nga Afganistani si Europën, ashtu dhe Rusinë. Numri i karteleve të drogës është në rritje, tha ai, duke pasur parasysh se 3 vjet më parë funskiononin 150 të tilla. Sipas tij, cdo vit, prodhimi i heroinës në Afganistan u siguron  karteleve të drogës në Evropë 100 miliard dollare. Heriona nga Afganistani bëhet shkak i vdekjes së 10 mijë të rinjve në vendet e Bashkimit Evropian, informoi ndër të tjera Ivanov në përmbyllje të vizitës së tij në Tiranë.