Tiranë – Ministria e Punëve të Jashtme e Shqipërisë përshëndeti sot, në emër të Qeverisë së Republikës së Shqipërisë, shpalljen e Pavarësisë së Republikës së Sudanit të Jugut, më 9 korrik.
Sipas MPJ, “ky akt vjen si shprehje e vullnetit për vetëvendosje të popullit të Sudanit të Jugut, gjë që u konfirmua në referendumin për pavarësinë, organizuar në janar të këtij viti”.
“Ministria e Punëve të Jashtme, në këtë ditë historike për popullin e Sudanit të Jugut, i shprehë qeverisë së këtij shteti të ri në hartën politike të kontinentit të Afrikës, urimet më të mira për prosperitet dhe paqe të qëndrueshme”, thuhet në deklaratën e MPJ-së.
Ndërkohë, “Ministria e Punëve të Jashtme shpreh gatishmërinë që të bashkëpunojë me qeverinë e Sudanit të Jugut për zhvillimin e marrëdhënieve në fushat me interes të ndërsjellë”.