Lajme Shqip Wednesday, 16 October 2013 08:53

Tiranë- (E plotësuar) Kryeministri Edi Rama e cilëson rekomandimin e KE-së, për t’i dhënë Shqipërisë statutin kandidat, si një inkurajim për të çuar përpara reformat e nevojshme për anëtarësimin e vendit në Bashkimin Europian. Në një konferencë të përbashkët me ambasadorin e BE-së Ettore Sequi, Rama theksoi se kjo nuk është një ditë për sulme apo lavdërime, por duhet të shërbejë si inkurajim për çdo shqiptar.

“Për ne as propozimi i sotëm për statusin, as statusi vetë dhe as hapja e bisedimeve për anëtarësim, nuk janë arsye për të mos njohur arritjet e qeverive të mëparshme në legjislacionin e integrimit. Ky proces ka qenë më i gjatë se jetëgjatësia e një qeverie të vetme dhe kush më shumë e kush më pak të gjithë kanë patur meritat e veta. Në nuk gjejmë sot rastin për tu lavdëruar, as për të sharë opozitën, për të ndarë popullin në të mirë dhe të keq. Ne jemi të inkurajuar sot nga propozimi i KE-së dhe çdo shqiptar pa dallim duhet të ndihet i inkurajuar.”- deklaroi Rama. 

Kryeministri nënvizoi se qeveria është dakord 100% me kushtet themelore të raportit, për të nisur procesin e hapjes së negociatave për anëtarësim, duke shprehur angazhimin për të forcuar frymën e gjithëpërfshirjes në politikën shqiptare. 

“Risia e madhe kësaj here është se për herë të parë raporti flet për mundësinë reale të hapjes së bisedimeve për anëtarësim,nëse përmbushen disa kushte themelore me të cilat jemi 100% dakord, lufta kundër korrupsionit, forcimi i sistemit gjyqësor, reforma e administratës liritë dhe të drejtat themelore. Më vjen mirë që raporti i progresit e nënvizon firmën gjithëpërfshirëse të qeverisjes sonë, ne do të vazhdojmë të jemi tërësisht të angazhuar që ta forcojmë këtë vijë të re në politikën shqiptare. Më vjen mirë që raporti flet qartë dhe për aktin normativ që nesër i paraqitet kuvendit.”- deklaroi Rama, raporton BW. 

 

Shqipëria merr statusin kandidat

 

Bruksel- (E plotësuar) “Shqipëria ka bërë progres në plotësimin e kritereve politike të Kopenhagenit, që kërkojnë stabilitet të institucioneve demokratike, zbatimin e ligjit, të drejtave të njeriut dhe mbrojtje të minoriteteve”, thuhet në progresraportin e Komisionit Evropian për Shqipërinë.

Sa i takon demokracisë dhe zbatimit të ligjit, raporti nënvizon se, pavarësisht tensioneve dhe klimës së polarizuar politike para mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare të 23 qershorit, Shqipëria vazhdoi përpjekjet për plotësimin e kritereve të vendosura.

“Procesi i 23 qershorit, që rezultoi një fitore e pastër për koalicionin opozitar të Partisë Socialiste, është vlerësuar pozitivisht nga misioni i vëzhguesve ndërkombëtarë. Kryeministri në largim pranoi humbjen duke i hapur rrugën ndryshimit të qeverive”, vijon progresraporti.

“Duke parë progresin e bërë nga Shqipëria, Komisioni rekomandoi në tetor 2012 që Shqipërisë t’i jepej statusi i vendit kandidat me kusht që të plotësohet disa masa në sistemin e drejtësisë, administratën publike dhe rishikimin e rregullores së parlamentit. Në dhjetor 2012 Këshilli i BE-së i kërkoi Komisioni Evropian që t’i raportonte Këshillit kur Shqipëria të plotësohet këto kritere”, thuhet në raport.

Status kandidat dhe hapje të negociatave për anëtarësim me kusht

Komisioni Europian i rekomandon që “Shqipëria të marrë Statusin e vendit kandidat duke rënë dakord që ajo të vazhdojë të ndërmarrë aksione në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”: ky është formulimi i paraqitur sot vendeve anëtare të Bashkimit europian, i siguruar nga Zëri i Amerikës. Ndërkohë hapja e bisedimeve kushtëzohet me përmbushjen e detyrimeve veçanërisht për reformën në administratë, shtetin ligjor dhe të drejtat themelore.

Në ndryshim nga viti i kaluar kur rekomandimi për dhënien e statusit kandidat për Shqipërinë kushtëzohej me përmbushjen e tri reformave, atë të parlamentit, ligjin për Gjykatën e Lartë dhe atë për Shërbimin Civil, këtë herë Komisioni Europian në dokumentin e tij për Shqipërinë, u propozon vendeve anëtare që asaj “t’i jepet statusi kandidat me mirëkuptimin që Shqipëria të vazhdojë të ndërmarrë reforma në luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”.

Vendimi përfundimtar pritet të merret në dhjetor, gjatë Këshillit të Ministrave të vendeve anëtare, mes të cilëve megjithatë nuk mungojnë skeptikët. Por sipas disa diplomatëve perëndimorë, vështirë se Këshilli mund të rrëzojë një rekomandim pozitiv. Do të jetë po ky Këshill që do të duhet të vendosë për hapin tjetër kryesor në marrëdhëniet mes Brukselit dhe Tiranës, atij që lidhet me datën për hapjen e bisedimeve për anëtarësim.

Sipas Komisionit Europian “që të mund të shkojë drejt nivelit tjetër dhe të hapen bisedimet për anëtarësim Shqipëria duhet të përmbushë të tjera përparësi kyçe, me një fokus të veçantë në reformat për administratën, shtetin ligjor dhe të drejtat themelore”, vlerëson Komisioni i cili thekson se, “dialogu politik konstruktiv dhe i qëndrueshëm do të mbetet thelbësor për një proces të suksesshëm reformash”. /shekulli/

 

Shqipëria drejt marrjes së Statusit

 

Komisioneri per Zgjerimin dhe Politiken Evropiane te Fqinjësisë, Štefan Füle, do të paraqesë sot në Bruksel Strategjine e re të Zgjerimit dhe Raportin Vjetor për vendet që janë në procesin e pranimit, njoftoi zyra e shtypit e Delegacionit të BE-së në Tiranë.

Mediat nderkombetare njoftuan qe dje qe sot Shqipëria do të jetë më afër objektivit të saj për tu bërë vend i ri kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

“Është e mundshme që Komisioni Evropian të hapë dritën jeshile për kandidaturën e Shqipërisë”- citojnë burime të BE-se, mediat italiane si TgCom dhe ANSA.

Sipas TgCom, ekzistojnë të gjitha gjasat që Komisioni Europian t’i hapë rrugë kandidaturës së Shqipërisë për anëtarësim, duke iu afruar kështu më shumë objektivit të saj.
TgCom i referohet kështu burimeve të saj në Komisionin Europian, një ditë para publikimit të raportit final për zgjerimin për vendet e Ballkanit.
Shqipëria duhet të bëjë këtë javë një hap vendimtar drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

“Ekzekutivi i BE pritet të rekomandojë për shtetet anëtare për t’i dhënë Shqipërisë statusin e vendit kandidat shkruan ndërkohë ‘Il Sole 24 orë’ në Itali,transmeton B.Web.
Sipas kësaj agjencie lajmesh, ndërsa disa qeveri perëndimore mund të tregohen të ftohta ndaj Shqipërisë, Italia është një vend që e mbështet përpjekjen e Tiranës për anëtaresim në familjen Europiane.

ANSA sjell në vëmendje edhe njëherë kushtet që duhet të plotësonte Shqipëria një vit më parë, reformat në fushën e drejtësisë, administratës publike apo edhe rregulloren e parlamentit.

Burime diplomatike në Bruksel thanë për Zërin e Amerikës se ky rekomandim vjen pas vlerësimeve pozitive në raport progresin e hartuar për Shqipërinë i cili do të bëhet publik gjatë ditës së sotme.

Pas katër vitesh, që kur në 2009 paraqiti zyrtarisht kërkesën për anëtarësim, dhe pas tre dështimeve radhazi, Shqipëria duket këtë herë se do të gëzoje Statusin e vendit kandidat. KE e rekomandoi edhe vitin e kaluar duke e kushtëzuar megjithatë me përmbushjen e tre reformave, atë të parlamentit, ligjin për Gykatën e Lartë dhe atë për Shërbimin Civil. Por sërish mosmarrëveshjet politike e bën të pamundur që vendet anëtare, dhjetorin e kaluar të jepnin dritën jeshile. Këto tre reforma u miratuan në fund të majit të kaluar, ndërkohë që klima pozitive në të cilën u mbajtën zgjedhjet e 23 qershorit dhe tranzicioni i butë i pushteteve janë pikë plus për të.

Burime diplomatike nga Brukseli shpjeguan për Zërin e Amerikës se Komisioni pritet t’i rekomandojë vendeve anëtare që Shqipërisë t’i jepet Statusi pa kushtëzime të mëtejshme, përvec nevojës që të vazhdojnë përpjekjet në luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Ndërkohë që Shqipëria do të duhet të përmbushë përparësi të tjera kyce në mënyrë që të vendoset për hapjen e bisedimeve për anëtarësim.

Eurokomisioneri Fule deklaroi sot se zgjerimi do të vazhdojë pavarësisht krizës dhe se vendet kandidate që do t’i bashkohen BE-së duhet të jenë gati edhe në terma ekonomike.

Në bazë të raportit të Komisionit Evropian, liderët e 28 vendeve të BE-së do ti hapin dritën jeshile Shqipërisë në dhjetor. Aktualisht vendet kandidate zyrtare për tu bashkuar me BE-në janë Turqia, Islanda, Serbia, Mali i Zi dhe Maqedonia.