Lajme Shqip Tuesday, 05 July 2011 14:31

Tiranë – Shqipëria dhe Serbia nënshkruan sot marrëveshjen “Mbi lëvizjen e ndërsjellë të shtetasve”.

Në ambientet e Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë u nënshkrua marrëveshja ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Serbisë “mbi lëvizjen e ndërsjellë të shtetasve”. Marrëveshja për heqjen e vizave me Serbinë u nënshkrua për palën shqiptare nga zv/ministri i Jashtëm, Selim Belortaja, ndërsa për palën serbe nga Ambasadori i Republikës së Serbisë në Tiranë, Miroljub Zariç.

Marrëveshja për lëvizjen e lirë është e bazuar mbi parimet e reciprocitetit të plotë midis dy shteteve, vullnetit të mirë e bashkëpunimit të ndërsjellë dhe synon mundësimin e qarkullimit të lirë të qytetarëve nga njëri shtet në tjetrin.

Gjithashtu, marrëveshja parashikon lirimin nga viza për hyrjen në territorin e secilës palë për një vizitë ose qëndrim që nuk i kalon 90 ditë brenda 180 ditëve.

Ndërkohë procedura për shtetasit, të cilët dëshirojnë të qëndrojnë për një periudhë më të gjatë kohe në territorin e njërës palë kontraktuese për qëllime studimi, punësimi, ribashkimi familjar etj, do t’iu nënshtrohet kërkesave të legjislacionit të brendshëm të secilit vend.