Lajme Shqip Thursday, 08 December 2011 10:00

Tiranë – Drejtoria e Përgjithshme e Patentave dhe Markave të Shqipërisë dhe Zyra e Pronësisë Industriale të Kosovës, nënshkruan sot në Tiranë një memorandum bashkëpunimi.

Në një njoftim të zyrës së shtypit pranë METE-s, bëhet e ditur se për palën shqiptare, memorandumi është nënshkruar nga Drejtori i Përgjithshëm i DPPM, Safet Sula ndërsa për palën kosovare nga Drejtori i ZPI, Isa Dukaj.

Me nënshkrimin e këtij memorandumi, zyrat e mbrojtjes së të drejtave të Pronësisë Industriale të të dyja vendeve synojnë nxitjen e bashkëpunimit dhe dhënien e ndihmës reciproke me qëllim forcimin e rolit të këtyre dy institucioneve në mbrojtjen efektive të të drejtave të Pronësisë Industriale sipas standarteve ndërkombëtare, si dhe në nxitjen e zhvillimit ekonomik, teknologjik, punës krijuese dhe shpikjeve në të dy vendet.

Memorandumi parashikon fushat specifike të bashkëpunimit mes dy institucioneve analoge shqiptare dhe kosovare, me qëllim arritjen e objektivit të mësipërm.

Memorandumi parashikon edhe shkëmbimin e ndërsjelltë të eksperiencës, informacionit dhe publikimeve në fushën e Pronësisë Industriale, dhënien e ndihmës reciproke në përmirësimin dhe zbatimin e programeve kompjuterike dhe bazave të të dhënave që lidhen me procedurat e regjistrimit të objekteve të pronësisë industriale, bashkëpunimin reciprok në përmirësimin e legjislacionit dhe përmbushjen e standardeve të vendosura nga organizmat ndërkombëtare si dhe organizimin e aktiviteteve promovuese dhe trajnuese dypalëshe.