Lajme Shqip Wednesday, 07 September 2011 14:23

Tiranë – Maxhoranca dhe opozita në komisionin parlamentar të Sigurisë Kombëtare, miratuan sot me konsensus, marrëveshjen ndërmjet qeverisë shqiptare dhe qeverisë franceze “për shkëmbimin dhe mbrojtjen e ndërsjellë të informacionit të klasifikuar”. Kjo marrëveshje është një detyrim që i buron Shqipërisë si një vend anëtar i NATO-s për ruajtjen e informacionit sipas standardeve të kërkuara.

Sipas marrëveshjes, që do të votohet në seancën e ardhshme plenare, informacioni i klasifikuar dhe sekret kryhet nëpërmjet kanaleve diplomatike vetëm nga personat e autorizuar.

Specialistë të Ministrisë së Mbrojtjes theksuan se aspekt i rëndësishëm i marrëveshjes janë shkeljet e sigurisë. Sipas tyre “palët janë të detyruara që ‘informacionin e klasifikuar’ që kanë marrë nga shteti tjetër, ta mbrojnë sipas të njëjtave standarde siç mbrojnë ‘informacionin e tyre të klasifikuar’. Në rastet kur ka dyshime serioze apo kur një informacion i klasifikuar është ekspozuar në mënyrë të paautorizur apo është kompromentuar në çfarëdo lloj forme, pala pritëse detyrohet që të informojë menjëherë shtetin prodhues të informacionit dhe për këtë ndërmerren hetime përkatëse”.

Përfaqësues të opozitës thanë se janë të gatshëm të mbështesin me votë në Kuvend çdo propozim apo amendim që mund të vijë nga autoritetet shqiptare të sigurisë kombëtare për të mundësuar sigurimin e plotë të këtij informacioni.

“Ju jeni të mirëpritur që në këtë komision të sillni çdo lloj rekomandimi apo ligji që do ta përmirësonte akoma më shumë garantimin e sigurisë”, tha deputeti i opozitës, Ilir Gjoni, duke iu drejtuar përfaqësuesve të qeverisë.

Opozita kërkoi nga komisioni i Sigurisë mbajtjen e seancave dëgjimore me ministrin e Mbrojtjes, me ministrin e Brendshëm, me drejtuesin e Shërbimit Informativ të Ushtrisë. Gjithashtu u kërkua prej tyre ngritja e një nënkomisioni për ushtrimin parlamentar në institucionin e Shërbimit Informativ Shtetëror.