Lajme Shqip Saturday, 27 August 2011 13:43

Tiranë – Ministria e Punëve të Jashtme të Shqipërisë dënoi të shtunën aktin e rëndë terrorist të datës 26 gusht në hyrje të kompleksit të Kombeve të Bashkuara në Abuja të Nigerisë, i cili shkaktoi viktima e të plagosur, dhe shkatërroi pjesën më të madhe të zyrave të OKB-së.

Në një deklaratë zyrtare të MPJ-së thuhet se “ngjarja tragjike në Abuja të Nigerisë është tregues i qartë se terrorizmi dhe lufta kundër tij mbeten një sfidë e komunitetit ndërkombëtar dhe e Shqipërisë, si pjesë e koalicionit”.

Duke shprehur “vlerësimin më të thellë ndaj atyre, të cilët sakrifikojnë jetën në shërbim të njerëzve në nevojë, Ministria e Punëve të Jashtme shpreh solidaritetin me ta dhe njëherazi shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjarët e viktimave dhe të lënduarve”.

“Republika e Shqipërisë do të vazhdojë të jetë pjesë aktive e organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe promovimit të vlerave mbi të cilat organizata është themeluar, në shërbim të paqes, sigurisë, e zhvillimit kudo në botë”, përfundon deklarata e MPJ-së.