Lajme Shqip Sunday, 03 April 2011 09:46

Vlorë – Në zgjedhjet vendore të 8 majit për kreun e Bashkisë së Vlorës do të konkurrojnë tre kandidatë si përfaqësues të subjekteve të ndryshme politike.

Blerina Dhrami, anëtare e Komisionit Zonal të Administrimit të Zgjedhjeve, nr. 61, tha se kandidatët e regjistruar pranë kësaj KZAZ-je, janë Ardian Kollozi i koalicionit “Aleanca për Qeytetarin” dhe Shpëtim Gjika, kryetar aktual i bashkisë, që përfaqëson në këto zgjedhje koalicionin “Aleanca për të Ardhmen”.

Por krahas tyre, Dhrami tha se “është rregjistruar edhe një kandidat i tretë, Krenar Tahiri, që do të përfaqësojë Partinë Aleanca Kombëtare, që drejtohet prej tij dhe e ka qendrën në Vlorë”.

Sipas saj, në këtë rast procedurat ligjore parashikojnë që deri ditën e hënë, Tahiri duhet të sigurojë firmat e një numër votuesish, që zë 1 përqind të zgjedhësve në qytetin e Vlorës për të mundësuar kandidimin zyrtar.

“Partia Aleanca Kombëtare nuk është subjekt parlamentar dhe nuk përfaqësohet as në këshillin bashkiak, ndaj për këtë arsye, parashikohen procedurat shtesë”, shton Dhrami.

Në listat zgjedhore në Bashkinë e Vlorës përfshihen 102403 zgjedhës, një numër i përafërt me atë të zgjedhjeve të 18 shkurtit të vitit 2007.