Lajme Shqip Tuesday, 12 April 2011 15:02

Tiranë – Një delegacioni i Këshillit të Evropës po viziton sot Tiranën për t’u njohur me situatën parazgjedhore, në prag të zgjedhjeve vendore të 8 majit.

Delegacioni, që kryesohet nga çekja Hana Richtermocova, u takua sot me kryetarin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Arben Ristani, me të cilin diskutoi për atmosferën paraelektorale në vend dhe punën e këtij institucioni në përgatitjen e procesit zgjedhor.

Kryesuesja e delegacionit, Richtermocova, tha për mediat se në takim me kreun e KQZ-së ofroi ndihmën e KiE-së për Shqipërinë, me qëllim realizimin e një procesi zgjedhor me standardet e kërkuara.

E pyetur për incidentet më të fundit në prag të zgjedhjeve, ajo nuk pranoi të bëjë komente, por theksoi se janë në ndjekje të situatës pragzgjedhore në Shqipëri.

Axhenda e vizitës treditore në Tiranë e delegacionit të KiE-së përfshin takime të veçanta me ministrin e Jashtëm, Edmond Haxhinasto, zv/ministrin e Brendshëm, Ferdinand Poni dhe nënkryetaren e Bashkisë së Tiranës, Albana Dhimitri.

Delegacioni do të ketë takime edhe me përfaqësues të partive politike, organizatave ndërkombëtare, shoqërisë civile dhe medias, për t’u njohur më nga afër me problematikën zgjedhore në Shqipëri.