Lajme Shqip Saturday, 02 April 2011 12:03

Tiranë – Kandidimi i grave në zgjedhjet vendore të 8 majit, për kryetarë bashkish dhe komunash, paraqitet në shifra të ulëta, duke mos përmbushur kriterin e 30% të parashikuar në ligj.

Me gjithë apelin e shoqërisë civile ndaj Komisionit Qendror Zgjedhor dhe partive politike për zbatimin e ligjit, që garanton përfaqësimin e grave e vajzave në pushtetin lokal, sërish numri i kandidateve për kryetare të njësive vendore, të regjistruara zyrtarisht në KQZ, si konkurente në garën elektorale të 8 majit, mbetet në shifra të ulëta.

Dy koalicionet “Aleanca për qytetarin”, i kryesuar nga Partia Demokratike dhe “Aleanca për të ardhmen”, i kryesuar nga Partia Socialiste, së bashku numurojnë 17 kandidate gra në listat e depozituara në KQZ.

PS numëron 9 kandidate femra, ndërsa PD e LSI kanë secila nga katër kandidate.

Nga 17 kandidate që kanë dy koalicionet në garën e zgjedhjeve lokale, 5 janë vetëm në qytetin e Tiranës (3 i përkasin PS-së dhe 2 LSI-së).

Në njësinë bashkiake nr. 1 dhe nr. 5, rikandidon për PS-në Lindita Nikolla dhe Jeta Seitaj, ndërsa në njësinë nr. 10, Enada Aliko.

Ndërsa LSI-ja përfaqësohet me kandidaten Erisa Xhixho në njësinë nr.5, ndërsa rikandidon Luzhiana Abazin në njësinë bashkiake nr. 6.

Partia Demokratike përfaqësohet me dy zonja në garën për Bashkinë e Ballshit dhe Memaliajt si dhe dy zonja në komunat Fratar dhe Qendër-Memaliaj.

Gjithashtu, PS prezantohet me një kandidate grua në komunën e Lazaratit të Qarkut Gjirokastër.

Ndërkaq, listat e kandidatëve për këshilltarë të PD-së dhe PS-së në të dyja partitë kryesohen nga femra,  përkatësisht zv.ministrja e Integrimit, Jorida Tabaku për PD-në dhe anëtarja e kryesisë së PS-së, Mimoza Hafizi.

Në total, Partia Demokratike ka futur 15 kandidate gra në 50 emra të propozuar, ndërsa PS-ja, 14, në 38 emra të propozuar.

Në qershor të 2008-s, Kuvendi i Shqipërisë votoi ligjin “Për barazinë gjinore”, nëpërmjet të cilit institucionalizohet një përqindje prej 30% e përfaqësimit të grave në trupat legjislative, ekzekutivë dhe juridikë.

Por, ky përfaqësim pas zgjedhjeve të 2009-s, ndryshe nga i pritshmi prej afro 30%, arrin në 16% të totalit. Në   zgjedhjet parlamentare të 2009-s dy partitë kryesore, PD dhe PS shkelën kodin zgjedhor kur në listat e kandidatëve për deputetë nuk kishin përcaktuar 30% të grave. Për këtë arsye, KQZ ‘i ktheu listat për të përfshirë më shumë zonja. Në të njëjtën kohë, edhe partitë e tjera patën probleme me listat dhe shumicës së tyre iu kthyen, për të përfshirë më shumë gra në garën elektorale të  28 qershorit.