Lajme Shqip Thursday, 07 April 2011 16:42

Tiranë – Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Ambasadori Eugen Wollfarth, u bëri sot thirrje të gjithë pjesëtarëve të komunitetit rom që të ushtrojnë të drejtën e tyre demokratike për të votuar në zgjedhjet për organet e qeverisë vendore të planifikuara për t’u mbajtur më 8 maj.

Zyra e shtypit e OSBE-së bëri të ditur se në kuadër të ditës së nesërme,  8 prilli, që shënon Ditën Ndërkombëtare të Romëve, Wollfarth theksoi rëndësinë e pjesëmarrjes së këtij komuniteti në procesin zgjedhor.

“Zgjedhjet për organet e qeverisë vendore më 8 maj janë një mundësi ideale, që komuniteti rom të përfaqësohet në nivelin e qeverisë vendore. Për ta arritur këtë, pjesëmarrja e plotë dhe e gjerë në procesin zgjedhor është e domosdoshme, pasi vota dhe zëri i tyre kanë vlerë”, deklaroi ambasadori.

Duke shprehur besimin se autoritetet e vendit do t’i vijnë në ndihmë komunitetit rom në ushtrimin e së drejtës së tij për të votuar, Wollfarth tha se “mbështetja e autoriteteve të të gjitha niveleve për të siguruar pjesëmarrjen e romëve në procesin e votimit do të ishte një shenjë e prekshme dhe e fortë e vullnetit të mirë publik dhe e angazhimit ndaj parimeve demokratike moderne”.

Ai shtoi se “është thelbësore që të sigurohet pjesëmarrja më e plotë publike e komitetit rom në gjithë vendimmarrjen që prek jetët e tij”.

Ambasadori vuri në dukje se “ne përkrahim plotësisht zhvillimin e politikave publike dhe zbatimin e strategjive kombëtare për romët dhe me romët, sikurse përcaktohet dhe në Planin e Veprimit të OSBE-së për Përmirësimin e Situatës së Komuniteteve Rome dhe Sinti në Zonën e OSBE-së. Është e rëndësishme që të çrrënjoset diskriminimi ndaj romëve dhe të sigurohen mundësi të barabarta, në përputhje me angazhimet e OSBE-së”.

Në përfundim të dekleratës në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Romëve, Ambasadori i OSBE-së tha se “prezenca e OSBE-së mbetet e gatshme për të përkrahur përpjekjet si të institucioneve shtetërore ashtu dhe të organizatave për romët drejt integrimit të tyre të mëtejshëm në shoqëri si pjesë e procesit më të gjerë të integrimit evropian”.