Lajme Shqip Wednesday, 09 November 2011 11:47

Vidhen paratë e të dënuarve në zyrën e ruajtjes së provave materiale brenda ndërtesës së Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda në Tiranë. Lajmi konfirmohet nga burimet zyrtare pranë institucionit të drejtësisë, organit të akuzës që tashmë ka nisur hetimet.

Sipas këtyre të dhënave, ka qenë ora 10:30 e paradites së djeshme kur magazinierja e provave pranë kësaj Gjykate është alarmuar për mungesën e parave në portofolin e një të dënuari, të cilit i ishin sekuestruar në momentin e arrestimit.

Nuk bëhet i ditur identiteti i të dënuarit që i janë vjedhur paratë. Mësohet se skandali që krijon një precedentë të rrezikshëm ka plasur kur njëri nga familjarët e këtij të dënuari, është paraqitur në kryesekretarin e kësaj gjykate duke kërkuar paratë që kishte vendosur Gjykata t’i kthehen familjes së të dënuarit.

Pas kësaj kërkese, kryesekretarja ka njoftuar magazinieren e Gjykatës së Krimeve të Rënda duke i kërkuar t’i sjell paratë që ndodheshin në kasafortën e zyrës së ruajtjes së provave të këtij institucioni.

Me të hapur kasafortën, magazinierja ka gjetur portofolin bosh, duke njoftuar kryesekretarin, kancelarin e kësaj Gjykate dhe kryetaren e komanduar gjyqtaren Etleva Deda. Kjo e fundit, e ndodhur në këto kushte ka njoftuar efektivët e policisë dhe prokurorisë, duke bërë edhe kallëzim penal për vjedhje.