Lajme Shqip Friday, 01 April 2011 11:33

Tiranë – Zv/Kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto, priti Ambasadorin e ri të Republikës së Kroacisë, z. Aleksandar Stipetiq, i cili i ka dorëzuar Letrat Kredenciale pranë Presidentit të Republikës më 11 mars 2011.
Ministri Haxhinasto shprehu kënaqësinë që emërimi i Ambasadorit  Stipetiq përkon me momentin kur ka një nivel bashkëpunimi shumë të mirë dhe marrëdhënie të shkëlqyera mes dy vendeve dhe i uroi Ambasadorit kroat suksese në detyrën e re. Nga ana e tij, Ambasadori Stipetiq siguroi për përkushtimin dhe angazhimin e tij në intensifikimin e mëtejshëm të marrëdhënieve mes dy vendeve. 
Bashkëbiseduesit konfirmuan vullnetin për mbajtjen e një dialogu politik intensiv dhe diskutuan rreth mundësisë së realizimit të disa vizitave të nivelit të lartë gjatë vitit 2011. U vlerësua, gjithashtu, nevoja për nxitjen dhe intensifikimin e bashkëpunimit në kuadër të BE, NATO, në fushën e ekonomisë, shkëmbimeve tregtare, biznesit, turizmit, kulturës, etj.
Ambasadori Stipetic shprehu vlerësimin maksimal të palës kroate për rolin dhe kontributin e Shqipërisë në stabilitetin dhe sigurinë e rajonit. 
Zv/kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto, vlerësoi njohjen dhe mbështetjen e Kroacisë për Kosovën dhe nënvizoi domosdoshmërinë që Kosova të jetë pjesë e proceseve integruese rajonale, duke u bërë pjesë e vizionit dhe perspektivës evropiane të rajonit. Në këtë drejtim, Ambasadori Stipetic theksoi se pala kroate e vlerëson integrimin e Kosovës në proceset rajonale si parakusht për sigurinë dhe stabilitetin e të gjithë rajonit.