Lajme Shqip Saturday, 07 May 2011 09:44

Tiranë – Sot është heshtje zgjedhore, pas mbylljes një ditë më parë të fushatës elektorale të partive politike që do të konkurrojnë në zgjedhjet vendore të 8 majit.

Sipas kodit zgjedhor (neni 77), 24 orë para datës së zgjedhjeve përfundon fushata e partive politike, duke ia lënë vendin heshtjes zgjedhore.

“Dita përpara datës së zgjedhjeve dhe data e zgjedhjeve, deri në orën e mbylljes së votimit, formojnë periudhën e heshtjes zgjedhore. Në periudhën e heshtjes zgjedhore nuk lejohet asnjë lloj fushate zgjedhore nëpërmjet organeve të medias, si dhe zhvillimi i mitingjeve ose i veprimtarive të tjera zgjedhore të subjekteve zgjedhore”, thuhet në nenin 77 të Kodit Zgjedhor.

Në zgjedhjet për pushtetin lokal janë regjistruar zyrtarisht në KQZ 56 subjekte zgjedhorë, 45 prej të cilave janë grupuar në dy koalicione, një i spektrit të djathtë, “Aleanca për Qytetarin”, i cili përfshin 22 parti dhe një koalicion i spektrit të majtë “Aleanca për të Ardhmen”, që grupon 23 parti.

Në Shqipëri funksionojnë 383 njësi vendore, ndërsa 3.164.859 zgjedhës do të votojnë në 4932 qendra votimi, për 6125 vende në këshillat bashkiakë dhe komunalë.