Lajme Shqip Friday, 10 February 2012 20:29

Tiranë-  “Shqipëria sot është një nga vendet më të sigurta të Bashkimit Europian falë mirëorganizimit dhe profesionalizmit të Policisë së Shtetit”, thuhet në një deklaratë për shtyp të Ministrisë së Brendshme.

Deklarata e MB-së erdhi pas qëndrimeve të kryetarit të PS-së, Edi Rama, i cili në tryezën për sigurinë e organizuar nga opozita, u shpreh se shteti e ka humbur betejën me  krimin.

“Niveli i krimit të vrasjes në Shqipëri është nën mesataren e vendeve anëtare të BE-së,ndërsa zbulueshmëria e këtij krimi në nivelet më të larta”, deklaroi zëdhënësi i MB-së Fatmir Konja.

Numri i vrasjeve ndër vite

Ai theksoi se Policia e Shtetit vlerësohet sot si një partner i denjë dhe serioz i organizmave më të rëndësishëm policorë europianë dhe ndërkombëtarë falë arritjeve domethënëse dhe luftës pa kompromis kundër të gjitha veprimtarive kriminale.

“Z. Rama dhe PS duhet t’i jenë mirënjohës Policisë së Shtetit dhe Ministrisë së Brendshme që i rikthyen dinjitetin dhe forcën e ligjit shtetit shqiptar pas asaj trashëgimie rrënqethëse që qeverisja e partisë së Z. Rama i la imazhit të Shqipërisë dhe shqiptarëve”, citohet deklarata.

Sipas saj Rama duhet të fshijë nga kultura e tij politike urrejtjen ndaj Policisë së Shtetit pse ajo mbrojti institucionet, ligjin dhe rendin në 21 janar 2011.