Lajme Shqip Sunday, 03 April 2011 15:29

Tiranë – Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj e cilësoi sot nënkomisarin Roland Likaj si “të memorizuar në historinë e Policisë së Shtetit si figura e punonjësit të policisë të devotshëm që nuk kurseu as jetën në shërbim të komunitetit”

Burgaj vizitoi sot familjarët e punonjësit të policit të rënë në krye të detyrës, Nënkomisar Roland Likaj në Vlorë, të cilët i garantoi për mbështetjen e vazhdueshme të Policisë së Shtetit.

Burgaj bëri të ditur se “Policia e Shtetit do të jetë gjithmonë në krah të familjarëve duke u kujdesur në mënyrë të veçantë për mirërritjen e 2 fëmijëve të tij.”

“Me vënien para drejtësisë të autorëve të vrasjes, kanë filluar dhe procedurat për shpalljen “Dëshmor të Atdheut” të punonjësit të policisë Roland Likaj dhe familjarët e tij do të përfitojnë nga ligji për familjet e punonjësve të policisë të rënë në krye të detyrës”, u shpreh kreu i Policisë së shtetit.

Familjarët e të rënit Roland Likaj shprehën falenderimet për përkrahjen e dhënë nga Policia e Shtetit dhe përfaqësuesit e Shtetit, që në mënyrë të vazhdueshme u janë gjendur pranë gjatë gjithë kohes

“Shembulli i Nënkomisar Roland Likaj dhe i qindra Dëshmorëve të Policisë ndër vite, përbëjnë një burim frymëzimi për çdo punonjës të Policisë së Shtetit për të vazhduar më me vendosmëri punën për të garantuar siguri për komunitetin.”, u shpreh Burgaj në përfundim të vizitës së tij.