Lajme Shqip Tuesday, 23 August 2011 11:38

Tiranë – Rezultati përfundimtar për zgjedhjet lokale të 8 majit pritet të  shpallet brenda muajit gusht, në rast se rezultati i zgjedhjeve për kryetar në komunën Shalë (qarku Shkodër), i mbajtur të dielën, nuk do të ankimohet në Kolegjin Zgjedhor.

Pas shpalljes dje nga KQZ të rezultatit të zgjedhjeve në këtë komunë, kodi zgjedhor parashikon që nëse brenda tre ditësh nuk do të ketë një proces ankimor nga forcat politike për këtë proces, atëhere KQZ mund të shpallë rezultatin përfundimtar brenda muajit gusht.

“Do të respektojmë afatin treditor siç përcaktohet në kodin zgjedhor dhe në rast se nuk do të ketë ankimime KQZ-ja do të shpallë rezultatin final të zgjedhjeve vendore 2011”, tha zëdhënësi i KQZ-së, Leonard Olli.

Komuna Shalë ishte e fundit njësi zgjedhore që ende nuk kishte një rezultat të zgjedhjeve për kryetar komune, për shkak të shtyrjes së procesit si pasojë e mosmarrëveshjeve mes forcave politike.