Lajme Shqip Friday, 23 November 2012 11:23

TIRANE- Kryeministri i Maqedonisë, Nikola Gruevski, zhvilloi sot një vizitë zyrtare në Shqipëri, me ftesë të Kryeministrit Berisha, në kuadër të 100- vjetorit të Pavarësisë. Kryeministri Berisha ishte ai që priti Kryeministrin Gruevski në mjediset e Kryeministrisë dhe pas ceremonialit zyrtar të pritjes, dy homologët zhvilluan një takim kokë më kokë, i cili u pasua me bisedimet mes dy delegacioneve dhe një konference për shtyp.

Në përfundim të bisedimeve, në prani të dy kryeministrave, u  nënshkruajtën dy marrëveshje bashkëpunimi ndërmjet qeverisë shqiptare dhe asaj maqedonase; marrëveshja për njohjen reciproke të lejeve të drejtimit dhe marrëveshja për hapjen e pikës së përbashkët të kalimit kufitar Trebisht-Xhepisht. 

Gruevski vjen në vizitë zyrtare në Tiranë pas më shumë se katër viteve, pas një vizite të tij në shkurt të vitit 2008. Një tjetër vizitë e fundit e tij ka qenë vitin e kaluar, ku Gruevski vizitoi vetëm fshatin Gollobërdë, një qendër rurale e përplasjeve të maqedonasve dhe bullgarëve, për identitetin kombëtar të banorëve të kësaj zone në territorin shqiptar.

GRUEVSKI: PLAGËT E OHRIT ENDE FRESKËTA
Ora 11:10 Kryeministri i Maqedonisë duke iu përgjigjur pyetjes së gazetares së “News 24” në lidhje me zbatimin e marrëveshjes së Ohrit, deklaroi se plagët janë ende të freskëta dhe dy vendet duhet të bëjnë kujdes që të mos lëndojnë ndjenjat e njëri-tjetrit. 

“Në vitin 2001 u ballafaquam me një konflikt që u kurorëzua me nënshkrimin e marrëveshjes së Ohrit. Kaluam një kohë të gjatë nga ky konflikt, por plagët e konfliktit janë të freskëta dhe të gjithë duhet të jemi të vëmendshëm të mos lëndojnë ndjenjat e palës tjetër. Me partnerin tonë të koalicionit BDI bëjmë përpjekje për të mbajtur komunikimin e mirë mes dy komuniteteve dhe në pjesën më të madhe e bëjmë në mënyrë të sukseshme. Por, edhe ne si të gjithë në botë kemi mosmarrëveshje, por kemi marrëveshje që të gjithë problemet të zgjidhen me dialog”,- tha Gruevski. 

GRUEVSKI: ÇËSHTJA E EMRIT, GREQIA SHKELI VENDIMIN E HAGËS
I pyetur nëse do bëjë lëshime Maqedonia me Greqinë rreth cështjes së pazgjidhur të emrit ‘Maqedoni’ me qëllim marrjen e anëtarësimit në NATO, Gruevski tha se të dyja vendet janë në proces bisedimesh të ndërmjetësuara nga një kryenegociator amerikan.
“Ky kontekst për emrin ka 20 vjet që u paraqit nga Greqia dhe për këtë Kombet e Bashkuara kanë emëruar dhe një ndërmjetës për t’i ofruar qëndrimet dhe tejkaluar qëndrimet. Këto bisedime janë intensifikuar këto 6 vitet e fundit, por kohët e fundit për shkak të problemeve të rënda në Greqi kanë humbur pak dinamikë. Kemi supozuar se të dyja palët këto probleme mund ti zgjidhin me dialog dhe vullnet të mirë”.

Sipas Gruevskit dhe Gjykata Ndërkombëtare e Hagës i dha të drejtë Maqedonisë, por dhe marrëveshja që u arrtit aty, u shkel disa herë nga pala greke.
“Kishim dhe një çështje në Hagë, gjyqin që solli aktgjykimin, dhe gjithë këtë periudhë, Maqedonia zhvilloi bisedime me vullnet të mirë dhe asnjëherë nuk ka shkelur marrëveshjet ndërkombëtare. Gjyqi tha se pala tjetër, Greqia e ka shkelur këtë marrëveshje. Në të ardhmen nuk do të përsëritet tha Greqia zyrtare, dhe ne shpresojmë se fqinji jonë do repketojë këtë të drejtë”.
Gjithsesi, kryeministri maqedons theksoi se shpresohet që të gjendet shpejt një zgjidhje.
“Nuk është pyetja se dicka do të lëshohet, por vullneti i mirë, të respektohet e drejta dhe sa më shpejt të gjendet zgjidhje që do e pranonin të dy popujt. Ne jemi të përkushtuar në këtë proces dhe besojmë se do arrihet kjo”.

BERISHA: QYTETARËT LIRI PËR DEKLARIMIN E ETNICITETIT
Ora 10:45 Kryeministri i vendit Sali Berisha gjatë konferencës së përbashkët për shtyp siguroi homologun maqedonas, se pakicat etnike maqedonase në Shqipëri gëzojnë të drejtat si çdo qytetar i vendit, pasi është i lirë të deklarojë etnicitetin që dëshiron. 

“Si është normale një teme e veçantë është çështja e shqyrtimit të lirive dhe të drejtave të qytetarëve në dy vendet tona. Ne vlerësojmë shumë rolin e shqiptarëve në paqen, stabilitetin dhe zhvillimin e Maqedonisë, kontributin e tyre në këtë drejtim, dhe shohim me interest të madh, progresin e këtij vendi dhe shoqërisë multietnike, si një rast i shkëlqyer për tu bërë shembull në Gadishullin e Ballkanit. E garantove se në Shqipëri qytetarët kanë të drejtë dhe kanë të drejtë të deklarojnë etnicitetin që dëshorirojnë”,- deklaroi Berisha. 

Shefi i qeverisë shqiptare duke zbardhur detaje nga takimi me homologun maqedonas nënvizoi se kanë rënë dakort për intensifikimin e bashkëpunimit në projektin Trans Adriatik dhe korridorit 8 si dhe Unazën e Ohrit.

“Ramë dakort të bëjmë përpjekje të përbashkëta për korridorin 8, për lidhjen e linjave të tensionit të lartë, për kompletimin e Rrugës së Arbrit, Unazës së Ohrit, lidhjen hekurudhore. Unë e sigurova kryeministrin se qeveria do të mbëtesë interesin e maqedonisë për projektin Trans-Adriatik të gazit që vjen nga Azerbajxhani”,- theksoi Berisha. 

Kryeministri shqiptar theksoi se Maqedonia mbështet integrimin e Shqipërisë në BE, ndërkohë që falenderoi homologun maqedonas se zgjodhi vigjilien e 100- vjetori të Shqipërisë për të vizituar vendin tonë. 

GRUEVSKI: E ARDHMJA E 2 VENDEVE NË BE
Në fjalën e tij në konferencën e përbashkët për shtyp, kryeministri i Maqedonisë theksoi se e ardhmja e Shqipërisë dhe Maqedonisë eshtë integrimi në Bashkimin Europian, ndërsa inkurajoi Shqipërinë për realizimin e reformave.
“Unë harmoninë e dy vendeve e shoh në BE, gjithashtu dhe Berisha. Kemi qëllim të përbashkët strategjik. Shfrytëzoj rastin ti uroj Berishës për marrjen e statusit të kufizuar për në BE. Dhe uroj fillimin e reformave sic i ka nisur Maqedonia dhe ne do të ndihmojmë në këtë drejtim”.

Më tej, Gruevski theksoi se Shqipëria dhe Maqedonia kanë bashkëpunim të frytshëm në të gjitha fushat.

GRUEVSKI: AUTOSTRADA TIRANË-SHKUP DO SHTONTE TURIZMIN
Një pikë që u theksua nga kryeministri Gruevkis gjatë konferencës për shtyp me homologun shqiptar Berisha ishte dhe ndërtimi i autostradës Tiranë-Shkup.
“Gjatë takimit diskutuam për ndërtimin e autostradës Tiranë- Shkup, që është një projekt madhor. Theksuam mundësinë për ndërtimin e autostradës Shkup-Tiranë për zhvillimin e turizmit. Hekurudha ka rëndësi të madhe. Ne i kemi filluar përgatitjet” . 

GRUEVSKI: NË SHQIPËRI TË AVANCOHET ME PAKICAT MAQEDONSE
Sipas kryeministrit maqedonas, Nikolla Gruevski, pakicat maqedonase në Maqedoni kanë një pozicion të rëndësishëm dhe po kështu janë dhe pjesë e vendimmarrjeve qeverisëse.
Duke numëruar një sërë qytetesh shqiptare ku sipas Gruevskit ka pakica maqedonase, ai kërkoi që dhe me këto minoritete të avancohet ashtu si në Maqedoni.
“Bashkësia shqiptare në Maqedoni ka një pozicion të rëndësishëm dhe paraqet një pjesë të rëndësishme të qeverisë maqedonase. Ndaj nevojitet avancimi i pakicës maqedonase këtu në Shqipëri, pakica që jetojnë në Korcë, Bilisht, Pogradec, Gollobordë, Berat, Kukës, etj”.

SHQIPËRIA DHE MAQEDONIA MARRËVESHJE RECIPROKE
Ora 10:40 Shqipëria dhe Maqedonia nënshkruajtën sot marrëveshjen për hapjen e pikës së përbashkët të kalimit kufitar Trebisht-Xhepisht. Marrëveshja reciproke u nëshkruajt nga kryeministri Berisha dhe homologu i tij maqedonas Gruevski. Po sot u nënshkruajt marrëveshja për levizjen e lirë, nga dy minsitrat përkatës së transportit.

ZHVILLOHET CEREMONIA ZYRTARE E PRITJES NË KRYEMINISTRI
Ora 9:30 Kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski mbërriti sot Tiranë , me ftesë të Kryeministrit Berisha, në kuadër të 100-vjetorit të Pavarësisë.

Kryeministri Gruevski u prit në një ceremoni zyrtare në mjediset e Kryeministrisë nga homologu i tij shqiptar Sali Berisha dhe pas ceremonialit zyrtar të pritjes, dy kryeministrat  zhvilluan një takim kokë më kokë, i cili do të pasohet me bisedimet mes dy delegacioneve. (LajmeShqip.com)