Lajme Shqip Saturday, 30 April 2011 14:31

Tiranë – Duke filluar nga sot, qytetarët që udhëtojnë nga Shqipëria drejt Kosovës dhe anasjelltas, do t’i nënshtrohen vetëm një kontrolli në hyrje ose dalje në të tria pikat e kalimit kufitar, Morin, Qafë Prush dhe Qafë Morinë.

Marrëveshja për kryerjen e një procedure të përbashkët të kontrollit të hyrje – daljeve në pikat e kalimit kufitar, u nënshkrua mesditën e së shtunës në Tiranë nga ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Bujar Nishani dhe homologu i tij kosovar, Bajram Rexhepi.

Në një konferencë të përbashkët për shtyp pas nënshkrimit të marrëveshjes Nishani dhe Rexhepi vlerësuan bashkëpunimin e deritanishëm në fushat e luftës kundër krimit të organizuar, trafiqeve të paligjshme dhe kontrollit të kufijve.

“Së bashku me homologun tim Rexhepi, sot  konkretizuam vijimin e një praktike shumë të mirë që padyshim do të konsolidohet akoma më shumë, atë të krijimit të hapësirave më të mëdha, të lehtësirave të lëvizjes së qytetarëve tanë në të dy anët e pikave të kalimit të kufirit”, u shpreh në fjalën e tij Nishani.

Sipas ministrit Nishani, ky është një hap i parë për të arritur shumë shpejt një praktikë tjetër akoma më të lehtë, atë të hyrjeve dhe daljeve pa kontrolle në pikat e kalimit të kufirit, pra për të adoptuar atë praktikë që sot vendet anëtare të marrëveshjes së Shengenit aplikojnë për qytetarët e vendeve të tyre.

Nga ana e tij, ministri kosovar Bajram Rexhepi vlerësoi se “nënshkrimi i këtyre marrëveshjeve, lehtëson lëvizjen e qytetarëve, duke ndihmuar në veçanti gjatë muajve të sezonit turistik, që pothuajse ka filluar gjatë fundjavave, në mënyrë që të kenë një lëvizje sa më të shpejtë në kufi”.

Në përgjigje të interesimit të medias mbi masat e marra në kuadër të procesit zgjedhor, ministri Nishani tha se janë marrë të gjitha masat në aspektin e garantimit dhe sigurimit të ambientit normal për zgjedhjet, për publikun, për qytetarin.

“Nga eksperienca e madhe që ka tashmë Policia e Shtetit, duke iu referuar asaj të zgjedhjeve të vitit 2007 dhe 2009, jo vetëm që jam i bindur, por ju garantoj juve dhe opinionin publik që çdo gjë do të shkojë në mënyrën perfekte, siç e parashikon ligji dhe ashtu siç e presin dhe e meritojnë qytetarët shqiptarë”, tha Nishani.