Lajme Shqip Monday, 19 September 2011 14:33

Tiranë – Autoritetet arsimore të Shqipërisë dhe Kosovës po bashkëpunojnë për aplikimin e një programi, që njehson tekstet që përdoren në nivelin e shkollave fillore të të dy vendeve.

“Janë ngritur grupet e përbashkëta të punës, të cilat së shpejti fillojnë punë për unifikimin e programeve mësimore dhe të teksteve shkollore”, bëri të ditur Ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj, duke shtuar se “hapi i parë do të jetë realizimi i Abetares së përbashkët brenda vitit 2012”.

Grupe të ekspertëve do të nisin me përpilimin e një Abetare të njëjtë dhe gradualisht procesi do të përfshijë dhe librat e lëndëve të tjera bazë.

Projekti për hartimin e një teksti Abetare-je të përbashkët që të përdoret në të gjitha trevat shqipfolëse është shumë afër realizmit. Zyrtarët e arsimit në Tiranë, Prishtinë e Shkup kanë një marrëveshje kooperimi që do të shtrihet dhe për tekstet e lëndëve të tjera nga sistemi shkollor fillor.

Sipas ministrisë shqiptare të Arsimit, bashkëpunimi Shqipëri – Kosovë do të shoqërohet dhe me liberalizimin e pranimeve, që do të bëhen në universitetet publike. Duke ju referuar shifrave konkrete, në sistemin universitar të Shqipërisë studiojnë rreth 700 të rinj nga trevat, nga Mali i Zi, nga Lugina e Preshevës dhe nga Maqedonia.

Sa i takon studentëve nga Kosova, nga viti i ri akademik pranimi i tyre do të jetë pa limit.