Lajme Shqip Friday, 05 August 2011 13:35

Tiranë – Zv/kryeministri dhe ministri i Jashtëm, Edmond Haxhinasto, bën të ditur të gjitha fushat e identifikuara për rritjen e bashkëpunimit me Kinën gjatë vizitës së homologut të tij kinez dy ditë më parë në vendin tonë.

Në një intervistë dhënë për Radion e Jashtme të Kinës, Haxhinasto shprehet se me palën kineze u diskutuan shumë aspekte të marrëdhënieve dypalëshe, që nga forcimi i bashkëpunimit në fushën politike, shkëmbimet në nivelet më të larta të qeverisë dhe të shtetit, shkëmbimin e diplomatëve, specialistëve dhe përfaqësuesve të administratës.

“Kemi fokusuar vemendjen në çështjet e bashkëpunimit ekonomik, ku ekzistojnë mundësi të mëdha midis dy vendeve tona. Në këto 10 vitet e fundit ka pasur një rritje prej 46 herë të volumit të shkëmbimeve midis dy vendeve dhe tendenca është mjaft pozitive”, deklaroi Haxhinasto.

Sipas tij, janë identifikuar fushat si në energji, infrastrukturë, të burimeve e pasurive natyrore, të pjesëmarrjes në parqet industriale dhe gjithashtu edhe në fushën e turizmit.

Për numrin dy të qeverisë shqiptare, për realizimin e këyre projekteve, në fushat e identifikuara rol të rëndësishëm ka krijimi  mundësive për bizneset e secilit vend, për ta njohur më shumë njeri-tjetrin nëpërmjet forumeve të biznesit, nëpërmjet takimeve dhe shkëmbimeve të ndryshme.

“Një rol të rëndësishëm do të luajë gjithashtu edhe mbledhja e Komisionit të Përbashkët Ekomomik midis dy vendeve, për të cilin shumë shpejt ne do të kemi një datë për ta realizuar. Jam i bindur që vizita e ministrit të Jashtëm të Republikës Popullore të Kinës do të jetë një impuls shumë i rëndësishëm për të gjithë këtë arsenal e potencial të madh në marrëdhëniet midis vendeve tona”, thekson Haxhinasto.

Ndërsa, duke iu referuar marrëveshjes së nënshkruar më palën kineze në fushën e turizmit, kreu i MPJ-së vë në dukje se “ajo ka të bëjë që nga shkëmbimi i informacionit, tek cilësia e shërbimeve turistike, tek garancitë e ndryshme që jepen për turistët, tek nevoja për të njohur më shumë njëri-tjetrin, për të njohur dhe vlerësuar trashëgimitë e jashtëzakonshme kulturore që kanë të dy vendet tona, me qëllim që ajo të jetë në funksion të shërbimit turistik”.

Ndërsa për heqjen e vizave turistike për shtetasit e Republikës Popullore të Kinës, zv/kryeministri Haxhinasto nënvizon se “tendenca është që liberalizimi të rritet gjithmonë e më shumë, me qëllim që të mos ketë asnjë pengesë në shkëmbimet apo në lëvizjen e qytetarëve të dy vendeve tona”.

Sipas tij, tendenca mes dy vendeve është që të shkojnë drejt  një liberalizimi të plotë të lëvizjes mes tyre.

“Shqipëria ka një pikë të rëndësishme reference, që është regjimi i vizave që ka BE me vendet e tjera, kështu që duhet t’i referohemi atij. Nga ana jonë, ne kemi bërë lehtësimin e procedurave dhe shkurtimin e kohës së dhënies së vizave për qytetarët kinezë, mbajtës të pasaportave të zakonshme, ndërkohë që kemi hequr vizat për të gjitha llojet e tjera të pasaportave diplomatike apo të shërbimit që ato kanë”, deklaron Haxhinasto.